Peter Handke shpallet person non-grata në Sarajevë

Peter Handke shpallet person non-grata në Sarajevë

Bota dhjetor 11, 2019 - 14:05
Detaje

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke, është shpallur sot person non-grata në Kantonin e Sarajevës.

Ky vendim, i iniciuar nga deputetët e Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), u miratua njëzëri në seancën e sotme nga Asambleja e Kantonit të Sarajevës.

Deklarata dënon dhënien e Çmimit Nobel për mohuesin e gjenocidit të Srebrenicës, ku serbët vranë e masakruan tetë mijë burra myslimanë.

Në deklaratë thuhet se faza përfundimtare e gjenocidit është pikërisht mohimi i gjenocidit, dhe se fituesi i çmimit Nobel në letërsi gjatë agresionit të tij në Bosnjë mbështeti publikisht regjimin serbomadh, me në krye kriminelin e luftës Slobodan Millosheviq.

“Handke nuk ndryshon pikëpamjet e tij sot, por shkon një hap më tej, duke njoftuar ardhjen e tij në Bosnjë e Hercegovinë dhe vizitën e tij te nënat nga Kravica në afërsi të Srebrenicës”, vazhdon deklarata.

Anëtarët e Asamblesë së Kantonit të Sarajevës e përshkruan dhënien e Çmimit Nobel për Handke si një ofendim të ri për viktimat, me vlerësimin se vizita e tij në BeH dhe Sarajevë do të shkaktonte poshtërim shtesë për viktimat e agresionit serbomadh.