Zgjedhjet në Britani, konservatorët kryesojnë në sondazhe

Zgjedhjet në Britani, konservatorët kryesojnë në sondazhe

Bota December 11, 2019 - 21:35
Detajet

Pas një kohë shumë të gjatë britanikët do të votojnë të enjten për herë të parë në periudhën e dimrit, pasi zgjedhjet e përgjithshme zakonisht i zhvillojnë në pranverë.

Këto zgjedhje të parakohshme zhvillohen për shkak të impasit në parlamentin e vendit për çështjen e ndjeshme të Brexit.

Konservatorët në pushtet kërkojnë që britanikët tu japin një shumicë të mjaftueshme parlamentare që të zbatojnë më në fund rezultatin e referendumit, e më pas të përqendrohen në çështje të tjera si kujdesin social dhe ambjentin.

Ndërsa laburistët e opozitës së Jeremy Corbyn, kërkojnë që britanikët të zhvillojnë një referendum të dytë dhe janë përqendruar në çështjen e ekonomisë dhe investimet në shërbimin shëndetësor në vend.

Liberaldemokratët, partia e tretë, kërkojnë anulimin e Brexit, ndërsa partia e Brexit e Nigel Farage e cila ka hequr gjysmën e kandidatëve nga zonat ku konkurrojnë konservatorët për ti ndihmuar si parti, edhe pse paradoksalisht thonë se kjo parti nuk është partia e duhur për të zbatuar Brexitin.

Specialistët e zgjedhjeve theksojnë se në këto zgjedhje pritet të ketë një votim të madh taktik nga elektorati, për shkak të Brexit, duke mbështetur ata kandidatë që janë pro ose kundër Brexit. Sondazhet e fundit flasin për epërsi të konservatorëve të Boris Johnsonit, por jo në Londër, por sondazhet në votimet e fundit, jo gjithmonë kanë dal të sakta.

Pas këtyre zgjedhjeve do të mësohet më qartë, nëse Britania do dal shumë shpejt nga Bashkimi Evropian apo nëse do të ketë më shumë shanse që të zhvillohet një referendum i dytë për Brexit.