Salvini humb zgjedhjet rajonale në veri të Italisë

Salvini humb zgjedhjet rajonale në veri të Italisë

Bota January 27, 2020 - 10:44
Salvini vazhdimisht ka bërë fushatë në këtë rajon nga fillimi i këtij viti, duke shpresuar se përmes fitores do ta rrëzojë qeverinë qendrore.

Kryetari i partisë djathtiste italiane “Lidhja”, Matteo Salvini, ka dështuar t’i japë fund mbizotërimit të pushtetit majtist në rajonin verior, Emilia-Romagna. Ky rezultat i shkon për shtati qeverisë qendrore.

Salvini vazhdimisht ka bërë fushatë në këtë rajon nga fillimi i këtij viti, duke shpresuar se përmes fitores do ta rrëzojë qeverinë qendrore.

“Shumica në pushtet ka dalë më e fuqishme nga zgjedhjet rajonale”, tha kryetari i Partisë Demokratike, Nicola Zingaretti, i cili shtoi se Salvini ka dështuar në përpjekjen e tij për ta rrëzuar qeverinë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Pas numërimit të 99 për qind të votave, kandidati i Partisë Demokratike, Stefano Bonaccini, i cili ka qenë kryetar deri tash, i mori 51.4 për qind të votave, ndërsa kandidati i Salvinit vetëm 43.7 për qind.

Në bazë të anketave para zgjedhjeve, ishte parashikuar një garë më e ngushtë dhe humbja me dallim prej gati 8 për qind ishte humbje e qartë për Salvinin, i cili ishte zotuar se do ta rrëzonte qeverinë, nëse do t’i fitonte këto zgjedhje.

Në lidhje me rezultatin, Salvini tha: “Unë nuk ndihem i mposhtur. Mund të fitoni dhe mund të humbni, por nëse humb, prapë do të jem i lumtur dhe do të punoj dyfish më shumë”.