Kina i dëbon tre gazetarë të huaj për shkak të kritikave rreth koronavirusit

Kina i dëbon tre gazetarë të huaj për shkak të kritikave rreth koronavirusit

Bota February 19, 2020 - 15:51

Autoritetet kineze i kanë urdhëruar tre gazetarë të gazetës “The Wall Street Journal” që të largohen nga territori i saj për shkak të një shkrimi, i cili nga to u cilësua si racist.

Artikulli i publikuar më 3 shkurt përmbante kritika rreth përgjigjes së autoriteteve kineze ndaj përhapjes së koronavirusit.

Ministria e Jashtme e Kinës tha se ka kërkuar nga kjo gazetë që të kërkojë falje për shkrimin e publikuar, por ajo kishte refuzuar të bënte një gjë të tillë.

Gazeta amerikane tha se gazetarët e dëbuar nuk ishin autorë të tekstit kritikues dhe ata i patën vetëm pesë ditë afat që të largohen nga Kina.

Vendimi i Kinës erdhi vetëm një ditë pasi Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara i ashpërsoi rregullat për mediet shtetërore të Kinës që veprojnë në ShBA, duke i klasifikuar ato si misione të huaja.

Departamenti i Shtetit kërkoi nga agjencitë kineze të lajmeve që t’i dorëzojnë listat e të gjithë punëtorëve, ndonëse ato nuk do të kenë kufizime sa i përket raportimit.

Dy nga gazetarët e dëbuar janë shtetas amerikanë, ndërsa një tjetër ka shtetësi australiane, shkruan “BBC”.