Të burgosurit e ISIS-it arratisen nga një burg i Sirisë

Të burgosurit e ISIS-it arratisen nga një burg i Sirisë

Bota March 30, 2020 - 13:59

Disa militantë të ISIS-it kanë arritur të arratisen nga një burg në pjesën verilindore të Sirisë pasi e morën kontrollin përmes një kryengritjeje. Lajmin e konfirmuan burimet e ushtrisë amerikane dhe forcave kurde.

Të burgosurit i thyen muret dhe i hoqën dyert e brendshme gjatë kryengritjes që shpërtheu natën e së dielës në qytetin Hasakah, duke ua marrë anën rojeve të Forcave Demokratike Siriane.

Militantët e burgosur e morën nën kontroll katin përdhesë të burgut dhe dolën në oborr, nga ku besohet se kanë ikur të paktën katër persona. Disa raportime të pakonfirmuara thanë se disa persona kanë vdekur gjatë përleshjeve.

“Situata ende është e tensionuar brenda burgut”, tha zëdhënësi i forcave të opozitës siriane, Mustafa Bali, duke shtuar se janë nisur përforcime për të marrë përsëri kontrollin në burg.

Ndërkohë një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha se janë përdorur helikopterë për t’i kërkuar personat e arratisur gjatë natës. Sipas tij, operacioni ka vazhduar deri në orët e mëngjesit.

Mediet lokale raportuan të hënën se katër persona janë kapur, por nuk kishte shifër të konfirmuar të të arratisurve ose të personave të arrestuar, shkruan “The Guardian”.