Shkon në mbi 7400 numri i viktimave të koronavirusit në ShBA

Shkon në mbi 7400 numri i viktimave të koronavirusit në ShBA

Bota April 04, 2020 - 08:27

Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i të vdekurve nga koronavirusi në Shtetet e Bashkuara ka shkuar në mbi 7 mijë e 400 persona.

Qyteti i Njo Jorkut është më i prekuri me 1867 viktima, ndërsa shifra e të infektuarve në mbarë vendin ka shkuar në gati 278 mijë.

Shtetet e Bashkuara janë në vendin e parë në botë për numrin e të prekurve nga virusi i ri, por shkalla e vdekshmërisë atje është relativisht e ulët.

Italia mbetet vendi me më së shumti viktima në botë me 14681 të vdekur, ndërsa pas saj vjen Spanja me 11198 viktima, shkruan “Anadolu”.

Mbi 700 mijë vende pune janë shuar muajin e kaluar në Shtetet e Bashkuara për shkak të mbylljes së bizneseve, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit nga 3.5 për qind në 4.4 për qind. Kjo ishte rritja më e madhe e papunësisë për një muaj që nga viti 1975.

Megjithatë, këto shifra duket se nuk e paraqesin gjendjen e saktë, sepse Byroja e Statistikave të Punës i përfshiu vetëm të dhënat e pjesës së parë të muajit mars, para se shumë shtetet të merrnin masa të rrepta të izolimit.