Gjermania merr presidencën 6-mujore të BE-së

Gjermania merr presidencën 6-mujore të BE-së

Bota July 01, 2020 - 08:16

Më 1 korrik Gjermania merr përsipër presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian.

BE-ja po përballet me recesionin më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tashmë ka përgatitur një plan të rimëkëmbjes ekonomike për të ndihmuar BE-në të përballet me pasojat e pandemisë së koronavirusit.

Merkeli priti presidentin francez Emmanuel Macron më 29 qershor, pasi të dy udhëheqësit mbështesin bashkërisht fondin e rimëkëmbjes së BE-së.

Kancelarja tha se “Gjermania dhe Franca, në muajt e ardhshëm, duan të luajnë një rol së bashku, duke e bërë të qartë se Evropa është e ardhmja jonë”.

Merkeli theksoi unitetin gjermano-francez në rindërtimin e ekonomisë së BE-së, duke pranuar se “pritjet janë të larta”, pasi Gjermania merr presidencën e radhës të BE-së.

Merkeli dhe Macroni së bashku propozuan krijimin e një plani 500 miliardë dollarësh për të ndihmuar Evropën të dalë nga dëmi i rëndë ekonomik, i shkaktuar nga pandemia e koronavirusit.

Propozimi i përbashkët u zgjerua nga Komisioni Evropian, i cili parashtroi plane për një fond prej 750 miliardë eurosh.

Paratë pritet të ndihmojnë vendet më të goditura nga pandemia, të tilla si Italia, e ngarkuar me borxhe dhe Spanja. Megjithatë, disa vende anëtare e kanë kundërshtuar planin.

Një test i parë i madh për presidencën gjermane do të jetë një samit i BE-së më 17 dhe 18 korrik, ku Merkeli shpreson se liderët do të arrijnë një marrëveshje mbi fondin.

“Fondi nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e Evropës, por pa të gjërat vetëm do të përkeqësohen”, tha Merkeli në një intervistë të publikuar më 26 qershor. /Rel