SHBA-ja sekuestron 13 tonë flokë të njerëzve, besohet të jenë nga të burgosurit kinezë

SHBA-ja sekuestron 13 tonë flokë të njerëzve, besohet të jenë nga të burgosurit kinezë

Bota July 03, 2020 - 13:12

Një dërgesë prej 13 tonësh e produkteve të bukurisë, siç janë parukat, që dyshohet të jenë bërë nga flokët e njeriut, u konfiskua të mërkurën nga oficerët e Doganave dhe Mbrojtjes së Kufirit (CBP) të SHBA-së në portin e New Yorkut/Newark, shkruan CNN-ja.

Sipas CPB-së, dërgesa ishte nga Xinjiangu - Kinë, duke sinjalizuar abuzime të mundshme të të drejtave të njeriut, të punës së detyruar dhe burgosjes. Produktet kishin vlerë mbi 800.000 dollarë.

Xinjiangu është rajon rural autonom në veriperëndim të Kinës, vend ku jetojnë përafërsisht 11 milionë ujgurë, një pakicë etnike kryesisht myslimane me një kulturë dhe gjuhë të veçantë. Deri vonë në Xinjiang kishte shumë më tepër ujgurë sesa kinezë Han, që janë edhe shumicë etnike në pjesën tjetër të vendit, transmeton “Zeri.info”.

Sipas Departamentit të Shtetit Amerikan, vlerësohet se mbi një milion ujgurë janë arrestuar në një rrjet masiv të kampeve të internimit në Xinjiang, ku thuhet se i nënshtrohen “torturës, trajtimit mizor dhe çnjerëzor, siç është abuzimi fizik dhe seksual, puna e detyruar dhe vdekja”, shkruan CNN-ja.

Përveç indoktrinimit politik, të paraburgosurit deklaruan për CNN-në se kanë përjetuar privim të gjumit, mungesë ushqimi dhe injeksione të detyruara.

Kjo është hera e dytë që këtë vit CBP-ja ka kapur produkte nga Kina, që dyshohet të jenë bërë nga flokët e të burgosurve.

Kina është përballur me një kontroll ndërkombëtar për trajtimin e saj të ujgurëve dhe në qershor presidenti Trump e nënshkroi projektligjin për ta shndërruar atë në ligj, i cili synon të ndëshkojë Pekinin për masat represive ndaj pakicës etnike.

Sidoqoftë, sipas librit të ri të John Boltonit, “The Room Where it Happens”, Trumpi i kishte thënë presidentit kinez Xi Jinping në vitin 2019 se ai duhet “të vazhdojë me ndërtimin e kampeve”. Sipas Boltonit, Trumpi mendoi se ishte “saktësisht gjëja e duhur për të bërë”, transmeton “Zeri.info”.