Së paku gjashtë policë afganë të vrarë nga sulmet e talibanëve

Së paku gjashtë policë afganë të vrarë nga sulmet e talibanëve

Bota July 08, 2020 - 18:17

Të paktën gjashtë pjesëtarë të policisë afgane janë vrarë gjatë dy sulmeve të talibanëve.

Incidenti i parë ndodhi në provincën e Kandaharit, ku tre pjesëtarë të forcave të sigurisë afgane u vranë dhe rreth 20 persona tjerë u plagosën pas shpërthimit të një bombe, e cila ishte e vendosur në një kamion.

Sulmi i dytë ndodhi në provincën Ghazni. Zyrtarët thanë se një bombë e vendosur në rrugë vrau tre pjesëtarë të sigurisë, përfshirë shefin e policisë së rrethit Dayak.

Shefi i policisë po inspektonte pikat e kontrollit herët në mëngjes kur ndodhi sulmi, sipas zëdhënësit të guvernatorit të provincës, Wahidullah Jamazada.

Talibanët kanë marrë përgjegjësi për të dy sulmet.

Qindra anëtarë të forcave të sigurisë dhe civilë të Afganistanit janë vrarë javët e fundit.

Talibanët kanë vazhduar me sulme në të gjithë vendin.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, më 6 korrik paralajmëroi se fluksi i dhunës paraqet një kërcënim "serioz" për procesin e paqes me talibanët.

Një marrëveshje paqeje e nënshkruar nga talibanët dhe Shtetet e Bashkuara në muajin shkurt, bën thirrje për negociata të drejtpërdrejta midis grupit militant dhe qeverisë së mbështetur nga Perëndimi në Kabul që synojnë t'i japin fund luftës gati dy dekadëshe në Afganistan./REL