"Shpërthejnë” turistët, mbi 500 mijë në Kroaci

Bota July 12, 2020 - 23:24

Me rihapjen vijon dyndja e turistëve nga shtetet nordike dhe ato të Evropës qëndrore drejt dy destinacioneve kryesore turistike, Kroacisë dhe Greqisë, kryesisht lëvizje në rrugë tokësore me makina.

Radhë kilometrike nga turistët janë duke u krijuar çdo ditë në hyrje të kufijve tokësorë të Kroacisë. Mijëra vetura kanë pritur deri në 3 orë sot në Istria, në kufirin me Slloveninë. Vlerësohet se rreth 500,000 turistë të huaj janë aktualisht me pushime në Kroaci. Shumica e tyre janë nga Gjermania, Sllovenia, Republika Çeke, Polonia, Austria, Sllovakia dhe Hungaria. Ata kanë preferuar këtë vit sidomos qëndrimin në kampe në Kroaci.

Kjo metodë ju siguron këtyre turistëve një mundësi për të shmangur vendet e mbipopulluara e të mbushura me njerëz si dhe një siguri më të madhe nga mosinfektimi me koronavirus. Ndërkaq, autoritetet kroate, ndryshe nga rekomandimi i Brukselit, kanë vendosur të hapin kufijtë për amerikanët si dhe kufizimet e detyrueshme të izolimit dhe karantinës për individët që hyjnë në Kroaci. Radhë të gjata ka patur sot edhe në pikën kufitare greke Promachonas me Bullgarinë.

Qindra mijëra turistëve që po përshkojnë këtë autostradë evropiane ju kërkohet që të paraqesin një test negativ Covid-19 të kryer deri në 72 orë para mbërritjes. Ky vendim i qeverisë greke erdhi pasi 29 turistë rezultuan pozitiv ne testet e rastësishme për koronavirus në vendkalimin kryesor kufitar greko-bullgar. Turistëve u kërkohet të plotësojnë formularët 24 orë para mbërritjes së tyre.

Kryeministri Mitsotakis nga Korfuzi theksoi se shqetësimi kryesor gjatë hapjes së vendit është siguria si për vizitorët ashtu edhe për banorët e destinacioneve turistike. Mbyllja e kufirit tokësor me Bullgarinë, sipas tij, do të ishte një goditje e madhe për turizmin grek.

Ndërkaq, në Itali gjendja e jashtëzakonshme pritet të zgjatet deri në 31 Dhjetor ku duhet të përdoret maskë në vendet e mbyllura, ndalohen tubimet si dhe detyrimi për dezinfektimin e ambienteve, për të matur temperaturën si dhe për dezinfektues të duarve në zyra dhe dyqane.

Qeveria Conte do të zgjasë ndalimin e hyrjes në Itali për ata që vijnë nga Armenia, Bahreini, Bangladeshi, Kuvajti, Omani, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Moldavia, Brazili, Kili, Panamaja, Peruja dhe Republika Dominikane, ndërsa kërkesa për karantinë 14-ditore mbetet në fuqi për ata që vijnë nga SHBA.

Klan Plus