SHBA-ja heq kufizimet mbi udhëtimet në rang botëror të lidhura me COVID-19

SHBA-ja heq kufizimet mbi udhëtimet në rang botëror të lidhura me COVID-19

Bota August 07, 2020 - 10:23

Departamenti Amerikan i Shtetit i hoqi të enjten udhëzimet e lëshuara për të “mos udhëtuar” në rang botëror, masë kjo që u mor në muajin mars, me anë të së cilës u rekomandohej qytetarëve amerikanë të shmangnin udhëtimet ndërkombëtare për shkak të pandemisë së koronavirusit.

SHBA-ja lëshoi paralajmërime individuale të nivelit të lartë për rreth 30 vende.

“Me përmirësimin e kushteve të shëndetit dhe sigurisë në disa vende dhe përkeqësimin potencialisht në disa të tjera, Departamenti po kthehet te sistemi i mëparshëm, te këshillat e udhëtimit për vende specifike”, thuhej në deklaratë. Aksionet e kompanive amerikane u rritën pas njoftimit.

Departamenti i Shtetit lëshoi njoftime specifike për udhëtimet drejt 30 vendeve, duke përfshirë këshilla të “nivelit të katërt, mos udhëtoni!”, mes tyre India, Rusia, Bangladeshi, Belize, Bolivia, Kosta Rika, Republika Dominikane, Egjipti, El Salvadori, Haiti, Irani, Kosova, Kazakistani, Mongolia, Hondurasi dhe Libia.

Departamenti i Shtetit lëshoi gjithashtu këshilla të reja të “nivelit të 3-të: Rishqyrtoni udhëtimin”, duke përfshirë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, Vietnamin, Sri Lankën, Liberinë, Armeninë, Filipinet, Laosin dhe Australinë.

SHBA-ja ka ndaluar shumicën e shtetasve joamerikanë që të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë vendet e BE-së dhe Kinën.

Departamenti i Shtetit e lëshoi për herë të parë paralajmërimin e “nivelit, mos udhëtoni” më 19 mars, për shkak të rreziqeve mbi shëndetin publik. /VOA