Trumpi nuk thotë se do ta transferojë paqësisht pushtetin nëse humb

Trumpi nuk thotë se do ta transferojë paqësisht pushtetin nëse humb

Bota September 24, 2020 - 09:22

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, refuzoi të thotë se do ta transferojë paqësisht pushtetin nëse i humb zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Trumpi në një konferencë për media në Shtëpinë e Bardhë, pasi u pyet nëse do ta transferonte në mënyrë paqësore detyrën.

Ai po ashtu tha se beson se rezultati zgjedhor mund të përfundojë në Gjykatën Supreme të SHBA-së, pasi sërish vuri në dyshim votimet me postë.

Gjithnjë e më shumë shtete në SHBA janë duke inkurajuar votimin me postë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Por është e pazakontë që një president amerikan të shprehë pak besim në procesin zgjedhor të demokracisë së SHBA-së.

Edhe në zgjedhjet e katër vjetëve më parë Trumpi nuk ka pranuar të thotë se do ta respektojë rezultatin zgjedhor nëse kundërshtarja e tij, Hillary Clinton, fiton.

I pyetur të komentojë komentet e fundit të Trumpit, kandidati demokrat në zgjedhjet e 3 nëntorit, Joe Biden, tha: “Populli amerikan do të vendosë në këto zgjedhje. Qeveria e Shteteve të Bashkuara është plotësisht e aftë t’i shoqërojë shkelësit nga Shtëpia e Bardhë”.

Unioni Amerikan i Lirive Civile gjithashtu i kritikoi deklaratat e Trumpit.

“Transferimi paqësor i pushtetit është thelbësor për një demokraci funksionale”, tha Davic Cole, nga ky union.