Sheshi “Skënderbej” në Tiranë mbushet me siluetat e fëmijëve të abuzuar seksualisht

Sheshi “Skënderbej” në Tiranë mbushet me siluetat e fëmijëve të abuzuar seksualisht

Bota September 28, 2020 - 14:46

Silueta fëmijësh të dhunuar janë vendosur në sheshin “Skënderbej” në Tiranë në kuadër të një fushate, që synon të tërheqë vëmendjen ndaj abuzimit seksual të përjetuar nga fëmijët në Shqipëri, shkruan “Euronews Albania”.

Çdo figurë përmban një mbishkrim të rrëfimit të vërtetë të abuzimit, i përjetuar nga minorenët, nën moton “Të besoj”.

Ky instalacion publik është organizuar nga UNICEF-i në Shqipëri dhe synon të promovojë kulturën e ngritjes së zërit kundër dhunës dhe abuzimit, veçanërisht seksual të ushtruar ndaj fëmijëve.

Ndërsa hedh dritë mbi aktet e tmerrshme të përjetuara, fushata ka si qëllim të mobilizojë opinionin publik të ndërmarrë hapa për t’i dhënë fund dhunës ndaj të miturve. Rastet e abuzimit me fëmijët kanë tronditur shpeshherë shoqërinë shqiptare kohët e fundit, duke nxjerrë në pah nevojën për ndërhyrje më të lartë shtetërore në mbrojtjen e kësaj grup-moshe. /Zëri