Zyrtare: Jeb Bush hyn në garë për president të SHBA-ve

Zyrtare: Jeb Bush hyn në garë për president të SHBA-ve

Bota qershor 15, 2015 - 18:54

Ish-guvernatori i Floridas, Jeb Bush më në fund ka zyrtarizuar kandidaturën e tij republikane për President të SHBA-së.

Në një video para zyrës së tij në Majemi, 62-vjeçari, vëllai i ish-presidentit George W. Bush, deklaroi: Unë jam i gatshëm të udhëheq.

Ai premtoi se do të mbrojë pjesën më vulnerabël të shoqërisë dhe do të heqë barrierat sociale.

Pjesa konservative e partisë së tij është ende skeptike. Sondazhet e fundit tregojnë se ai ka ende terren për të fituar mes kandidatëve republikanë.

Në videon e tij të fundit të titulluar “The Greatest Century” (Shekulli i madh), ai flet me nota optimizmi duke thënë: “Unë shoh një vend të madh në prag të shekullit të saj më të madh, dhe unë jam gati ta udhëheq”, transmeton Top Channel.

Gjatë një turi në Europë javën e kaluar,  Bush paralajmëroi se ai nuk do të heqë dorë nga bindjet e tij kryesore, dhe pse disa nuk mbështeten nga partia e tij.

“Nuk do të ndryshoj veten. I respektoj njerëzit që nuk janë dakord me mua, por nuk do të ndryshoj këndvështrimet e mia, sepse sot dikush ka një këndvështrim të ndryshëm”, tha Bush.