Franca vendos 46 milionë banorë në shtetrrethim për shkak të koronavirusit

Franca vendos 46 milionë banorë në shtetrrethim për shkak të koronavirusit

Bota October 23, 2020 - 14:55

Qeveria franceze nga e premtja në mbrëmje dhe për gjashtë javë me radhë do të vendosë një shtetrrethim në dy të tretat e vendit, për 46 milionë njerëz, pas një rekordi prej 41.622 infeksionesh të reja me koronavirus vetëm brenda një dite, shkruan BBC.

Totali i të infektuarve tani ka kaluar njëmilionëshin. Në Evropë vetëm Spanja dhe Rusia e kanë arritur atë.

Një javë më parë ora policore hyri në fuqi në Paris dhe në tetë qytete të tjera franceze. Tani edhe 38 zona të tjera do të kenë shtetrrethim nga ora 21:00 deri në 06:00, transmeton “Zeri.info”

Pjesa më e madhe e Evropës ka infeksione në rritje.

Sllovakia nga e shtuna do të vendosë një bllokim të pjesshëm për një javë, duke lejuar vetëm udhëtime për punë, dalje për blerjen e gjërave të domosdoshme, si dhe për fëmijët që shkojnë në shkollë.

Bllokimet e reja kanë hyrë në fuqi në Republikën Çeke dhe në Republikën e Irlandës.

Ka gjithashtu shkallë të larta infektimi në Belgjikë, Spanjë dhe Itali, duke vënë nën presion të madh shumë spitale.

Me restrikcionet e reja tash normalisht që ka filluar edhe ekonomia të jetë në krizë. Ankesa ka sidomos nga pronarët e restoranteve dhe lokaleve, bizneset e të cilëve tashmë po vuajnë pas bllokimit dymujor në pranverë.

Në disa rajone të Francës, në kujdesin intensiv, më shumë se gjysma e shtretërve tani janë të zëna nga pacientët me COVID-19. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit Franca regjistroi mbi 162 vdekje të tjera.

U lansua edhe një aplikacion i ri francez i quajtur “#TousAntiCovid”, për të zëvendësuar atë të mëparshmin “#StopCovid”, që u shkarkua nga vetëm 2.7 milionë njerëz.

“#TousAntiCovid” është një mjet gjurmimi i telefonave të mençur me më shumë informacione lokale se aplikacioni i mëparshëm.

Kryeministri francez Jean Castex tha se “qarkullimi i virusit sot ka arritur në numër dhe nivel shumë të lartë” me 251 infeksione për 100.000 njerëz vetëm gjatë javës së kaluar.

Ai tha se rritja ishte për 40% në një javë dhe shkalla e riprodhimit R ishte rreth 1.35, “që në thelb do të thotë dyfishim i numrit të rasteve çdo dy javë”. Shkalla R mat se në sa persona të tjerë po e kalon virusin çdo person që është i infektuar. /Zëri