Shkelet menjëherë armëpushimi i arritur nga SHBA-ja në konfliktin Nagorno-Karabakh
Foto: EPA

Shkelet menjëherë armëpushimi i arritur nga SHBA-ja në konfliktin Nagorno-Karabakh

Bota October 26, 2020 - 09:06

Armenia dhe Azerbajxhani kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit të fundit rreth territorit të diskutueshëm të Nagorno-Karabakhut, pak minuta pasi rihyri në fuqi të hënën.

Armëpushimi i ndërmjetësuar nga SHBA-ja u njoftua të dielën në Washington, raporton BBC.

Më parë gjatë muajit, edhe dy armëpushime tjera u arritën në konflikt të cilat u prishën pothuajse menjëherë.

Luftimet nisën më 27 shtator rreth enklavave malore. Konflikti është intensifikuar sërish ditëve të fundit.

“Armëpushimi humanitar” u shpall të dielën në një deklaratë të përbashkët të lëshuar nga qeveritë në SHBA, Armeni dhe Azerbajxhan, transmeton Zeri.info.

Ai hyri në fuqi në orën 8:00 sipas kohës lokale (GMT+4) të hënën (11:00 sipas kohës sonë GMT+1) .

Njoftimi pasoi diskutimet mes Zëvendëssekretarit të Shtetit, Stephen Biegun, ministrit të Jashtëm armen, Zohrab Mnatsakanyan dhe homologut të tij azerbajxhanas, Jeyhun Bayramov. Departamenti amerikan i Shtetit tha se marrëveshja u arrit pas negociatave intensive.

Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi të dielën mbrëma në Twitter duke uruar palët e përfshira.

Mirëpo, vetëm pak minuta pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, Azerbajxhani akuzoi forcat armene se kanë granatuar qytetin Terter dhe fshatrat e afërta në “shkelje të ashpër” të marrëveshjes.

Ministria e Mbrojtjes armene tha se artileria azerbajxhanase ka sulmuar pozicionet ushtarake në pjesë të ndryshme të vijës së ftonit pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes për armëpushim.

Në një postim në Facebook, presidenti armen, Nikol Pashinyan, insistoi se vendi i tij “vazhdon t’i përmbahet me ngulm regjimit të armëpushimit”.

Hikmet Hajiyev, zëdhënës i presidentit azerbajxhanas, tha se Armenia po tenton të “ruajë status quo-në të bazuar në okupim”, duke shtuar: “Pala e Azerbajxhanit po përmbahet” , transmeton Zeri.info.

Ndërmjetësit nga OSBE-ja pritet të takohen të enjten për të diskutuar rreth konfliktit.

Dy marrëveshje të mëhershme armëpushimi të arritura nga Rusia kanë dështuar të zbatohen. Edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka paralajmëruar Rusinë për të mos u përfshirë ushtarakisht në konflikt.

Nagorno-Karabakh njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit por është nën kontrollin etnik armen.

Përleshjet që nisën në shtator shpejt eskaluan në një konflikt të shkallës së gjerë, me granatime të qyteteve dhe fshatrave dhe me përdorim të pretenduar të municioneve të ndaluara.

Disa mijëra persona kanë vdekur dhe granatimet kanë lënë të vdekur edhe civilë në të dyja palët. Dhjetëra mijëra janë larguar nga shtëpitë e tyre.