Suedia shënon rekord të rasteve me COVID-19 për të dytën ditë me radhë

Suedia shënon rekord të rasteve me COVID-19 për të dytën ditë me radhë

Bota October 29, 2020 - 15:09

Shteti i cili nuk vendosi izolim të plotë gjatë valës së parë të pandemisë në pranverë, ka shënuar përsëri rekord të rasteve ditore të koronavirusit, pasi një gjë e tillë ndodhi edhe një ditë më parë.

Gjatë 24 orëve të kaluara, në Suedi u regjistruan 2.820 raste të personave të infektuar, që është shifra më e lartë që nga fillimi i pandemisë. Një ditë më parë u regjistruan shumë më pak raste, ndonëse ishte rekord – 1.980.

Agjencia e Shëndetësisë tha se kulmi i rasteve në pranverë ndoshta ka qenë shumë më i lartë se shifra zyrtare, por ka kaluar pa u vërejtur për shkak të mungesës së testimeve në atë periudhë, shkruan The Guardian.

Pas përkeqësimit të situatës, autoritetet suedeze vendosën t’i ashpërsojnë rekomandimet kundër pandemisë për tri rajone shtesë, përfshirë qytetet më të mëdha të vendit, kryeqytetin Stokholm dhe Gotenburgun.

Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe shtatë viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 5.934, që është shifër shumë më e lartë në krahasim me rastet fatale në vendet fqinje si në Norvegji.