Tragjedi në Senegal, së paku 140 migrantë të vdekur nga fundosja e një anijeje
Foto : Ilustrim

Tragjedi në Senegal, së paku 140 migrantë të vdekur nga fundosja e një anijeje

Bota October 29, 2020 - 19:33

Së paku 140 migrantë janë mbytur pranë Senegalit që shënon edhe fundosjen më tragjike të një anijeje të regjistruar këtë vit, ka thënë agjencia e OKB-së për migrim (IOM) përmes një deklarate të enjten.

Anija po bartte rreth 200 persona, sipas IOM-it.

Kjo organizatë shtoi se “sipas burimeve mediatike, flotat detare senegaleze dhe spanjolle, sikurse edhe peshkatarë që shkuan në afërsi të anijes, shpëtuan 59 persona dhe nxorën edhe trupat e 20 të tjerëve”, raporton CNN.

Sipas IOM-it, anija ishte nisur për në Ishujt Kanare të Spanjës por u përfshi nga zjarri pak orë pas nisjes nga Mbour, një qytet bregdetar në perëndim të Senegalit, para se të përmbytej afër Saint-Louis, në bregun veriperëndimor të vendit, transmeton Zeri.info.

“IOM-i është thellësisht i trishtuar nga kjo tragjedi e fundit, e cila pason katër fundosje tjera anijesh të regjistruara në Mesdheun Qendror javën e kaluar dhe një tjetër në Kanalin Anglez”, u tha në deklaratën e IOM-it.

Numri i anijeve me migrantë që nisen nga Afrika Perëndimore për në Ishujt Kanarie “është rritur ndjeshëm” në javët e fundit, tha IOM-i më tej në këtë deklaratë. /Zëri