Infektuar: 40117
Shëruar: 25586
Vdekur: 1026
Shpërndarja e vaksinave, liderët e G20-ës zotohen se do të ndihmojnë vendet më të varfra

Shpërndarja e vaksinave, liderët e G20-ës zotohen se do të ndihmojnë vendet më të varfra

Bota November 22, 2020 - 10:17

Liderët e ekonomive më të fuqishme në botë, gjatë samitit virtual diskutuan për mënyrën sesi do të shpërndahen vaksinat anti-COVID, ilaçet apo si do të kryhen testet në të gjithë botën në mënyrë që edhe vendet e varfra të mos lihen mënjanë, por të ndihmohen për t’u rimëkëmbur nga pandemia.

Udhëheqësit e G20-s shprehën shqetësimin se pandemia do të thellojë përçarjen mes shteteve të varfra dhe atyre të pasura.

“Ndërsa ne vazhdojmë të luftojmë virusin dhe mirëpresim lajmet e fundit që vijnë nga kërkimi i vaksinës, duhet gjithashtu të shohim përpara për të ardhmen e brezave të rinj. duhet të rrisim bashkëpunimin tonë me institucionet shumëpalëshe. Unë jam i bindur se përpjekjet tona të përbashkëta së shpejti do të na sjellin në një pikë kthese në luftën tonë kundër coronavirusit”, tha Giuseppe Conte, kryeministër i Italisë.

Kancelarja Merkel bëri po ashtu thirrje për koordinim sidomos sa i përket vaksinës.

“Në mënyrë që të ndalet pandemia, çdo vend duhet të ketë akses dhe të jetë në gjendje të sigurojë vaksinën. Fondet e premtuara deri më tani nuk janë ende të mjaftueshme për të arritur këtë. Prandaj, ju bëj thirrje të gjithëve që të mbështesni këtë iniciativë të rëndësishme", u shpreh kancelarja gjermane.

Shpërndarja dhe aksesi në vaksina ishte po ashtu kryefjala e presidentit francez, Emmanuel Macron

"Ka një betejë tjetër për të cilën ne duhet të jemi të përgatitur. Dhe kjo është gatishmëria për ta bërë  vaksinën të disponueshme në arenën ndërkombëtare.

A do të jemi të përgatitur kur vaksina e parë të dalë në treg, që të jetë në dispozicion për të gjithë, shmangia e një skenari të dy botëve, ku vetëm të pasurit kanë qasje në të dhe janë në gjendje të mbrojnë veten dhe të kthehen në jetën e tyre normale? Është koha të transformojmë konceptin e ‘të mirës së përbashkët të njerëzimit’ në një realitet praktik", tha Macron.

Gjatë fjalës së tij presidenti rus, Vladimir Putin ofroi të sigurojë vaksinën e coronavirusit Sputnik V të Rusisë në vendet e tjera dhe tha se Moska po përgatiste gjithashtu edhe dy vaksina të tjera anti-COVID./euronews