Më shumë se 40 milionë doza vaksinimi anti-COVID janë përdorur në gjithë botën

Më shumë se 40 milionë doza vaksinimi anti-COVID janë përdorur në gjithë botën

Bota January 18, 2021 - 14:27

Deri më tani të paktën 60 vende dhe territore, në të cilat banon 61 për qind e popullsisë së botës, kanë filluar fushatat e vaksinimit. Më shumë se 40 milionë doza të vaksinës kundër COVID-19 janë shfrytëzuar në të gjithë botën në garën kundër imunitetit ndaj koronavirusit, në të cilën Izraeli po udhëheq sot. Të dhënat u raportuan nga agjencia franceze e lajmeve AFP të hënën, raporton “Hina”, transmeton “Zeri.info”.

Nga e hëna të paktën 40.062.825 doza ishin konsumuar, sipas burimeve zyrtare të mbledhura nga AFP-ja. Ky numër është sigurisht dukshëm më i lartë sepse vendet e mëdha si Kina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia nuk i kanë azhurnuar të dhënat e tyre ditët e fundit, thekson agjencia.

Izraeli ka shkuar bindshëm më larg me vaksinimin, me 2.43 milionë doza dhe 2.12 milionë njerëz të vaksinuar, ose 24.5 për qind e popullsisë.

Rreth 3,6 për qind e izraelitëve kanë marrë tashmë dy doza të nevojshme për mbrojtje optimale. Shtetet e Bashkuara kryesojnë në numër absolut, me 12.28 milionë doza për 10.60 milionë njerëz (3,2 për qind e popullsisë) përpara Kinës, ku janë përdorur më shumë se 10 milionë doza.

Në Evropë Britania e Madhe mori kryesimin me vaksinimin në fillim të dhjetorit, ku u injektuan 4.31 milionë doza në 3.85 milionë njerëz (5,7 për qind). Britania njoftoi të hënën se po shtrin fushatën e saj të vaksinimit për ata mbi 70 vjeç, ndërsa deri më tani mosha për njerëzit që i përkasin grupit përparësor ka qenë 80 vjeç.

Britania ndiqet nga dy vende të Bashkimit Evropian, Italia dhe Gjermania. Vendet e Bashkimit Evropian kanë përdorur më shumë se pesë milionë doza për rreth 1,2 për qind të popullsisë së BE-së, ku Danimarka dominon me 2,9 për qind.

Në Francë 0,6 për qind e popullsisë është vaksinuar. Brazili njoftoi se fushata e vaksinimit në vend fillon të hënën. /Zëri