FBI-ja kontrollon të gjithë 25.000 ushtarët e Gardës Kombëtare të angazhuar për inaugurimin e Bidenit

FBI-ja kontrollon të gjithë 25.000 ushtarët e Gardës Kombëtare të angazhuar për inaugurimin e Bidenit

Bota January 18, 2021 - 14:32

Ekspertët e sigurisë amerikane janë të shqetësuar për një “sulm të brendshëm” të mundshëm ose një kërcënim që mund të vijë nga anëtarët e shërbimit që do të jenë në krye të ruajtjes së presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe Biden, gjatë inaugurimit të 20 janarit, prandaj ata i kërkuan FBI-së të bëjë një kontroll të sigurisë te të gjithë 25.000 anëtarët e Gardës Kombëtare të pranishëm në kryeqytetin amerikan.

Kujdesi është shtuar lidhur me trazirat që shpërthyen më 6 janar, kur pesë njerëz u vranë në kohën kur mbështetësit e presidentit në largim Donald Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit në Washington, shkruan AP-ja, transmeton “Zeri.info”.

Garda Kombëtare filloi të mbërrinte në Washington që nga java e kaluar. Grupet e vogla të protestuesve nga grupet e krahut të djathtë, disa prej të cilëve mbanin armë, u mblodhën dje përpara asambleve shtetërore të ruajtura mirë në të gjithë Shtetet e Bashkuara, ndërsa ushtarët dhe policia e Gardës Kombëtare po përpiqen të parandalojnë përsëritjen e dhunës së 6 janarit.

Nuk pati raportime për përplasje midis policisë dhe protestuesve. Masat e sigurisë janë shtuar në ditët e fundit pasi FBI-ja paralajmëroi për protesta të mundshme në Washington, si dhe para asambleve të të 50 shteteve të SHBA-së.

Grupet e vogla me disa dhjetëra njerëz demonstruan në disa kryeqytete në SHBA. Për shkak të kërcënimit që grupet ekstremiste do të mblidheshin para asambleve shtetërore në të gjithë vendin, disa guvernatorë vendosën të futnin masa të forta sigurie. /Zëri