Qeveria “Conte” merr votëbesimin e Parlamentit, tani pritet fjala e Senatit

Qeveria “Conte” merr votëbesimin e Parlamentit, tani pritet fjala e Senatit

Bota January 18, 2021 - 23:30

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte fitoi mbrëmjen e së hënës votëbesimin në dhomën e ulët të Parlamentit italian, i mbajtur pasi një nga partnerët e koalicionit, partia Italia Viva, u tërhoq javën e kaluar duke shkaktuar një krizë politike në vend.

Konkretisht, qeveria siguroi mbështetjen e deputetëve me 321 vota pro, 259 kundër dhe 27 abstenim. Po të kishte humbur në votim, Conte do të ishte i detyruar të jepte dorëheqjen.

Përpara votimit, duke komentuar largimin e ish-bashkëpunëtorit të tij Matteo Renzi, Conte tha se ky vendim nuk kishte asnjë “justifikim të besueshëm” dhe paralajmëroi se kaosi politik do t’i shkaktonte një dëm të madh Italisë.

“Është një krizë që vjen në një moment kyç për vendin tonë, me pandeminë që është ende e fortë, kur shumë familje që po na shohin në këto momente po vuajnë ende nga humbja e të dashurve të tyre. Ju rrëfej se ndihem paksa i shqetësuar. Jam këtu sot jo për të njoftuar mënyrat e reja të mbështetjes për qytetarët tanë dhe bizneset e tyre, as për të folur për fondin e rikuperimit, por të përpiqem të sqaroj një krizë, për të cilën më duhet të them se është e pabazë dhe e pajustifikueshme”, tha Conte.

Por ai do të përballet me një test më të vështirë ditën e martë, në Senatin italian, ku qeveria e tij ka një mazhorancë të dobët, edhe në rastin kur ligjvënësit e Italia Viva të ishin ende pjesë e koalicionit./euronews