Dhjetëra të vrarë në një treg në Bagdad

Dhjetëra të vrarë në një treg në Bagdad

Bota January 21, 2021 - 14:38

Së paku 28 persona u vranë në dy sulme vetëvrasëse në një treg të Bagdadit.

Zyrtarët irakianë thanë se së paku 73 persona të tjerë u plagosën.

Tregu në sheshin Tajaran ka qenë i mbushur me njerëz, pas pothuajse një viti kufizimesh të vendosura për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Ministria e Brendshme e Irakut tha se sulmuesi i parë vetëvrasës ka pretenduar se është i sëmurë dhe ka mbledhur njerëz pranë vetes, përpara se t’i shpërthente eksplozivët.

Derisa turmat janë mbledhur për t’i ndihmuar të plagosurit, sulmuesi i dytë ka shpërthyer eksplozivët e tij, tha ministria.

Burimet mjekësore thanë se kanë frikë se numri i të vdekurve mund të rritet.

Sulmet e së enjtes janë më të përgjakshmet në Bagdad qysh në janar të vitit 2018, kur një sulmues vetëvrasës ka vrarë mbi 30 vetë, po ashtu në sheshin Tajaran.

Sulmet vetëvrasëse kanë qenë të shpeshta në Bagdad gjatë luftimeve sektare, që kanë pasuar pushtimin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në vitin 2003.

Më vonë, kur grupi militant Shteti Islamik ka fituar kontrollin mbi pjesë të mëdha të Irakut, militantët e tij gjithashtu kanë pasur në shënjestër kryeqytetin.

Iraku e ka deklaruar të mundur Shtetin Islamik në fund të vitit 2018 pas një fushate trivjeçare, por grupi ka vazhduar të veprojë në shkretëtira dhe zona malore./REL