Nëntë majmunë të mëdhenj marrin vaksinë kundër koronavirusit

Nëntë majmunë të mëdhenj marrin vaksinë kundër koronavirusit

Bota March 05, 2021 - 11:04

Nëntë majmunë të mëdhenj në një kopsht zoologjik në Kaliforni u bënë organizmat e parë jonjerëzorë që u vaksinuan kundër koronavirusit.

Zyrtarët në San Diego thanë se katër orangutangë dhe pesë bonobos morën vaksinën, javëve të fundit.

Kafshët i morën nga dy doza të një vaksine eksperimentale, të dizajnuar fillimisht për qen dhe mace, tha zëdhënësja e kopshtit zoologjik, Darla Davis, për agjencinë e lajmeve Reuters.

Vaksinat u miratuan pasi tetë gorilla në një tjetër kopsht të San Diegos u infektuan me koronavirus në janar.

Rasti shënoi transmetimin e parë të njohur të virusit te majmunët e mëdhenj.

Vaksina u zhvillua nga kompania farmaceutike veterinare Zoetis, por nuk u testua te majmunët.

Në komunitetin njerëzor, koronavirusi ka prekur mbi 115 milionë vetë.

Prej tyre, mbi 2.5 milionë kanë humbur jetën dhe mbi 65 milionë janë shëruar.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë, me mbi 28 milionë të infektuar dhe mbi 520,000 viktima. /rel