Von der Leyen u la në këmbë gjatë vizitës në Turqi, mijëra persona kërkojnë dorëheqjen e Charles Michelit

Von der Leyen u la në këmbë gjatë vizitës në Turqi, mijëra persona kërkojnë dorëheqjen e Charles Michelit

Bota April 13, 2021 - 18:18

Mijëra persona kanë nënshkruar një peticion duke kërkuar dorëheqjen e  kreut të Këshillit Evropian, Charles Michel mbi rastin e vizitës në Turqi, ku presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u la në këmbë.

Mbi 5,000 persona kanë nënshkruar, duke argumentuar se presidenti i Këshillit Evropian dëmtoi diplomacinë e bllokut, si dhe të drejtat e grave gjatë incidentit.

Sipas medias së huaj, peticioni, i nënshkruar nga udhëheqësit e grupeve të grave si Fondacioni i Grave dhe Inovacionit Millennia2025 dhe Lidhja Ndërkombëtare e Grave për Ligjin, thotë se Michel ka bërë “disa gabime serioze që një falje nuk mund t’i fshijë”.

Peticioni gjithashtu lidh incidentin me vendimin e Ankarasë në 19 Mars për të lënë Konventën e Stambollit për Parandalimin dhe Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje.

“Duke marrë gjoja udhëheqjen si një burrë mbi një grua që është e barabartë me politikën tuaj, ju i ofroni përforcim diktatorit për shtypjen që ai dëshiron t’u imponojë grave dhe vajzave të Turqisë”,  lexon peticioni.

Nënshkruesit përfshijnë shkrimtarë, një avokat në pension dhe deputetë federalë dhe rajonalë të Belgjikës. Lista e plotë e nënshkruesve nuk do të jetë në dispozicion derisa peticioni të mbyllet ditën e sotme, më pas do t’i dërgohet Michel, një kopje do të jetë gjithashtu në tryezën e Von der Leyen.

Michel së pari pretendoi se ai nuk ishte fajtor për episodin, por më vonë pranoi se ai mund të kishte bërë një gabim./tch