Egjipti sekuestron anijen që bllokoi Kanalin e Suezit, kërkon 900 milionë dollarë kompensim

Egjipti sekuestron anijen që bllokoi Kanalin e Suezit, kërkon 900 milionë dollarë kompensim

Bota April 14, 2021 - 09:50

Autoritetet egjiptiane kanë sekuestruar anijen masive të mallrave, e cila bllokoi Kanalin e Suezit për gati një javë muajin e kaluar, pas një mosmarrëveshje mbi dëmet financiare.

Një gjykatë egjiptiane urdhëroi pronarin japonez të anijes, Shoei Kisen Kaisha, të paguante 900 milionë dollarë dëmshpërblim si rezultat i humbjeve të shkaktuara kur “Ever Given” me flamurin panamez ndaloi trafikun detar nga kalimi përmes rrugës kryesore të tregtisë globale.

Fatura e majme përfshin gjithashtu tarifat e mirëmbajtjes dhe kostot e operacionit të shpëtimit, njoftoi media shtetërore Al Ahram.

Një operacion ndërkombëtar shpëtimi punoi gjatë gjithë kohës për të zhvendosur anijen nga brigjet e kanalit. Ajo mbeti e bllokuar në mënyrë diagonale në arterien e ngushtë, por thelbësore tregtare globale gjatë një stuhie rëre më 23 mars, duke vënë në lëvizje një përpjekje gjashtë-ditore nga personeli egjiptian dhe specialistët ndërkombëtarë të shpëtimit për ta zhvendosur.

Bllokimi i Kanalit të Suezit bllokoi çdo ditë ngarkesa me vlerë prej 9.6 miliardë dollarësh mes Azisë dhe Evropës. Kanali është ekonomikisht jetësor për Egjiptin, i cili humbi nga 12 deri në 15 milionë dollarë të ardhura për çdo ditë që ai ka qenë i mbyllur.

Më shumë se 400 anije u bllokuan të kalonin përmes korsisë kryesore të transportit kur Ever Given u përplas më 23 Mars. Rrethanat që çuan në këtë situatë po hetohen veçmas nga autoritetet egjiptiane. /A2