Republika Çeke dëbon 18 diplomatë rusë

Republika Çeke dëbon 18 diplomatë rusë

Bota April 18, 2021 - 09:37

Republika Çeke ka urdhëruar dëbimin e 18 diplomatëve rusë, duke i akuzuar ata se janë spiunë, pasi inteligjenca Çeke ka lidhur agjentët ushtarakë rusë me një shpërthim në një depo municioni më 2014.

Si pasojë e këtij shpërthimi kanë vdekur dy persona.

Një zyrtar i lartë i Parlamentit rus, e ka quajtur këtë pretendim absurd.

Kryeministri çek Andrej Babish ka thënë se shteti është dashur të veprojë ndaj publikimeve që lidhin shpërthimin, me shërbimin ushtarak të inteligjencës së Rusisë, GRU.

Në një konferencë televizive të shtunën, Babish ka thënë se 18 diplomatët, të cilët janë identifikuar se kanë punuar për shërbimet ruse të inteligjencës, kanë 48 orë për t’u larguar nga shteti.

“Ka dyshime të arsyeshme se agjentët sekretë rusë të shërbimit GRU, kanë qenë të përfshirë në shpërthimin e vitit 2014 në depon e armëve në fshatin çek Vrbëtice”, ka thënë ai.

Në të njëjtën kohë, policia ka bërë thirrje për ndihmë për gjetje të dy individëve, të cilët kanë qenë në Çeki në periudhën 11 tetor - 16 tetor 2014, fillimisht në Pragë, dhe më pas në zonën ku gjendet depoja e armëve.

Policia Çeke është duke kërkuar për të dyshuarit me identitetet Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov, në lidhje me shpërthimin.

Këta janë emra që janë shfrytëzuar nga dy zyrtarë të inteligjencës ruse, për të cilët Mbretëria e Bashkuar ka thënë se kanë kryer sulmin me agjent nervor në Sallsbëri më 2018.

Fotografitë e publikuar nga Policia Çeke, flasin për personat e njëjtë, sikurse ato që ka publikuar policia britanike.

Pas incidentit në Sallsbëri, të dy burrat janë identifikuar si Alexander Mishkin dhe Anatoliy Chepiga dhe janë paraqitur në një televizion rus, duke pretenduar se janë nutricionistë, të cilët kanë vizituar Sallsbërin, për të parë majën e një katedraleje.

Megjithatë, autoritetet britanike kanë thënë se ata kanë qenë pjesë e GRU-s dhe kanë hedhur agjent nervor Noviçok, në dorezën e derës së shtëpisë së Skripalit, ish-zyrtar i GRU-s.

Për pasojë, Skripal dhe vajza e tij kanë qenë të sëmurë, dhe tani janë shëruar.

Një grua që ka banuar në afërsi Dawn Sturgress, ka vdekur disa muaj më vonë, pasi është helmuar nga agjenti nervor, që ka mbetur në një shishe të hedhur të plehra.

“Ne jemi në situatë të ngjashme me atë të Britanisë, pas tentimit për helmim në Sallbëri më 2018”, ka thënë ministri i Jashtëm çek Jan Hamáëek, kur ka bërë të ditura rezultatet e hetimeve.

Rusia është përgjigjur duke thënë se kushtetuta e saj nuk lejon që qytetarët e saj të ekstradohen.

Politikani rus Vladimir Dzhabarov ka thënë se pretendimet e Republikës Çeke janë absurde dhe se reagimi rus ndaj dëbimit të diplomatëve do të jetë i njëjtë, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, Interfax.

Shtetet e Bashkuara kanë dëbuar 10 diplomatë të ambasadës ruse në Uashington të enjten, si përgjigje ndaj një sulmi kibernetik dhe aktiviteteve tjera ruse./rel