BBC: Annalena Baerbock, gruaja që mund të bëhet kancelarja e re e Gjermanisë
Foto: Getty Images

BBC: Annalena Baerbock, gruaja që mund të bëhet kancelarja e re e Gjermanisë

Bota April 19, 2021 - 14:22

Për herë të parë në historinë katërdekadëshe të partisë së tyre, të Gjelbrit gjermanë vendosën të kenë një kandidat për të garuar për kancelar, shkruan BBC.

Po aq historik është roli qendror që të Gjelbrit do të luajnë në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit, transmeton Zeri.info.

Të hënën Partia e Gjelbër njoftoi se 40-vjeçarja Annalena Baerbock do të jetë e përzgjedhura e tyre për ta pasuar Angela Merkelin në zgjedhjet e shtatorit.

Baerbocku me gjasë do të jetë gruaja e vetme në garë.

Të Gjelbrit, që dikur shiheshin si një tufë kaotike me hipi, me mjekra në sandale, ata tani ka të ngjarë të hyjnë në qeverinë e ardhshme.

Me konservatorët në kaos mes mospajtimeve mbi kandidatin e tyre, Partia e Gjelbër mund të përfundojë edhe si më e madhja në koalicionin e ri. Kjo do të thoshte që Annalena Baerbock do të ishte kancelarja e ardhshme e Gjermanisë.

Ajo tashmë veçse është krahasuar me lideret e reja gra në Zelandë të Re e Finlandë.

Baerbocku u lind në vitin 1980, në po të njëjtin vit që u themelua edhe partia. Prindërit e saj e morën atë me vete në demonstrata antinukleare. Ajo e përshkruan fëmijërinë e saj si një përzierje të topave të ujit në protesta dhe tortë në shtëpi më vonë – një përzierje e radikalizmit komod të klasës së mesme që përmbledh Partinë e Gjelbër sot dhe shpjegon thirrjen e saj aktuale masive.

Sipas sondazheve më të fundit, të Gjelbrit kanë 22% të votave, të dytët vetëm pas konservatorëve të Angela Merkelit, bllokut CDU/CSU.

Konservatorët kanë rënë nga mbi 40% në verë, kur Gjermania po e menaxhonte relativisht mirë pandeminë, në 29%. Në disa sondazhe konservatorët bien edhe më poshtë, duke i vendosur ata katër-pesë pikë të përqindjes para të Gjelbërve.

SPD-ja e qendrës së majtë ka 15-17 për qind për muaj të tërë. Të gjitha partitë e tjera përbëjnë rreth 10-përqindëshin e mbetur.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq për CDU/CSU-në, sondazhet ende s’i kanë marrë për bazë mosmarrëveshjet e fundit përbrenda konservatorëve për kandidatin e tyre konsensual për kancelar, transmeton Zeri.info.

Derisa meshkujt alfa të konservatorëve kanë qenë të zënë duke shkërmoqur njëri-tjetrin në luftën për pushtet, të Gjelbrit me qetësi gjetën kandidatin e tyre për postin kryesor në vend. Me një sekrecion sikurse të Kremlinit, asnjë nuk rrodhi në opinion deri në vendimin formal të së hënës.

Lidershipi i ri i të Gjelbërve ka zhvilluar një kontroll të disiplinës partiake dhe një etje për pushtet me të cilën Bismarcku do të ishte krenar.

Por gjërat s’kanë qenë gjithmonë kaq në harmoni në Partinë e të Gjelbërve. Tradicionalisht, konservatorët janë të disiplinuarit dhe të Gjelbrit kaotikët.

Pamjet televizive të ceremonisë së themelimit të partisë të japin përshtypjen e një takimi të ndonjë unioni studentor, me të rinj me flokë të shthurura me fanella nga kërpi dhe xhaketa të thurura që i bërtasin me pasion.

Për pjesën më të madhe të historisë së saj partia është grindur nga ndarjet midis “Realos”, ose realistëve, të cilët besojnë se shoqëria konvencionale duhet të fitohet dhe “Fundis”, ose fondamentalistëve, të cilët e shohin çdo kompromis si një shitje.

Në vitin 1998 të Gjelbrit hynë në koalicionin e tyre të parë qeverisës nacional, si partner junior i SPD-së së qendrës së majtë. Ministri i ri i Jashtëm i të Gjelbërve, Joschka Fischer, u pyet me përqeshje nga gazetarët nëse ngrënia e “muesli” (ushqimeve nga përshana) do të bëhej e detyrueshme.

“Realot fituan – por betejat u intensifikuan me kompromise që erdhën me pushtetin. Më 1999 Fischeri u godit në kokë me një qese me ngjyrë të kuqe gjatë një konference të partisë, ku ai tha se të Gjelbrit do të përkrahnin sulmet ajrore të NATO-s në Kosovë.

Mosmarrëveshjet vazhduan me dekada, duke i lënë të Gjelbrit të ndarë në shkretëtirën politike në shkallë vendi.

Por lidershipi pragmatik dhe i suksesshëm në qeveritë e fuqishme rajonale tregoi se të Gjelbrit mund të udhëheqin efektshëm.

Më 2011 shteti i pasur i Baden-Wurttembergut votoi për kryeministër rajonal të Gjermanisë për herë të parë një të Gjelbër, Winfried Kretschmannin.

Me një përzierje pragmatizmi ekonomik dhe bindjes mjedisore, ai ka qëndruar në pushtet dhe ka mbetur popullor.

Tre vjet më parë partia votoi për Baerbockun dhe Robert Habeckun si udhëheqës të përbashkët të partisë - të dy “Realos”, por me një aftësi mbresëlënëse në afrimin e të dy krahëve. Ndërsa shifrat e sondazheve të të Gjelbërve u rritën, kundërshtia u shua, transmeton Zeri.info.

Por marshimi i tyre drejt pushtetit nuk do të jetë i lehtë.

Të Gjelbrit shpesh dalin më mirë në sondazhe, por më keq në realitet. Votuesit dëshirojnë të duken virtuozë e të thonë se do të votojnë të Gjelbrit, por kur vjen dita e zgjedhjeve godasin besnikëritë tradicionale dhe brengat pragmatike për ekonominë.

Të Gjelbrit do të jenë edhe në vijën e gjuajtjeve nga të gjitha anët. E majta do t’i quajë ata borgjezë elitistë, të cilët kujdesen më shumë për pirjen e kafeve të sojës sesa për të drejtat e punëtorëve. E djathta do të ngrejë spektrin e moralistëve predikues që duan të ndalojnë makinat dhe suxhukët gjermanë.

Por pas 16 vitesh të një kancelareje me nuancë të gjelbër Merkel, Gjermania ka ndryshuar. Rryma e zakonshme është më e gjelbër dhe Partia e Gjelbër është më e zakonshme. Pra, klishetë anti-Gjelbër duken të vjetruara dhe mund t’i fyejnë votuesit.

Sido që të jetë, të Gjelbrit janë të fokusuar në pushtet. Askush nuk po bën shaka me “muesli” më. /Zëri