Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Blinken: SHBA do t’u përgjigjet akteve të pamatura ruse

Blinken: SHBA do t’u përgjigjet akteve të pamatura ruse

Bota May 06, 2021 - 19:17

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka thënë BBC-së se vendi i tij do t'i përgjigjet akteve të pamatura dhe agresive nga Rusia.

Blinken tha se SHBA-ja po përcjellë me vëmendje trajtimin e liderit opozitar Alexei Navalny si dhe çështje tjera ku Rusia është e përfshirë.

"Ne do të preferonim një marrëdhënie më të qëndrueshme dhe të parashikueshme," tha ai.

Këto komente Blinken i bëri për BBC derisa ishte në Mbretërinë e Bashkuar për një takim të ministrave të jashtëm të grupit G7 të vendeve të industrializuara.

Një deklaratë e lëshuar pas bisedimeve dy-ditore nga ky grup kritikoi Moskën për "sjelljen e saj të papërgjegjshme dhe destabilizuese", veçanërisht kundër Ukrainës si dhe për sulmet kibernetike.

Të enjten, Blinken i ofroi mbështetje presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili tha se vendi i tij ishte nën kërcënim nga trupat ruse të grumbulluara pranë kufirit të saj.

SHBA dhe Rusia janë kundërshtare afatgjatë dhe kanë dallime të shumta me njëra-tjetrën në çështjet kryesore./rel