“Nuk ka gjermanë dhe europianë të zinj”, jep dorëheqjen politikani pas deklaratave raciste

“Nuk ka gjermanë dhe europianë të zinj”, jep dorëheqjen politikani pas deklaratave raciste

Bota May 07, 2021 - 23:46

“Në qoftë se qytetërimi europian nuk dëshiron të shkatërrohet vetëm për të qetësuar komplekset e shoqërisë, herët ose vonë duhet thëne me qartësi, supremacia e bardhë është ok”.

Kjo nuk është pjesë e marrë nga libri “Mein Kampf” i shkruar nga Adolf Hitler, por disa nga deklaratat që i kanë kushtuar karrierën politike liderit të lëvizjes rinore të një partie që në zgjedhjet e ardhshme gjermane mund të marrë 10% të votave.

Marvin Neumann sapo ishte zgjedhur si kreu i Junge Alternative, lëvizjes rinore të partisë së djathtë Alternative fur Deutschland (AfD), duke premtuar në programin e tij shndërrimin e lëvizjes në një strukturë “më profesionale, estetike dhe e mprehtë në qëndrimet e saj”.  

Por mjaftuan dy javë për të kuptuar që pozicionet e Neumann ishin tepër ekstreme edhe për një parti që prej vitesh monitorohet nga autoritetet shtetërore gjermane për qasjen e saj konservatore dhe deri diku raciste.

Por Neumann shkonte më tej dhe në mënyrë eksplicite, me postime në Twitter ku rikthente teori që shoqëria gjermane, të paktën në pjesën e saj më të madhe, ka refuzuar nga fundi tragjik i Luftës së Dytë Botërore.

“Nuk ka gjermanë dhe europianë të zinj, europianët dhe pasardhësit e tyre mund të shndërrohen dikur në gjermanë, por afrikanët kurrë. Në rastin më të mirë, do jenë pjesë e një shoqërie dhe do kenë atë nënshtetësi, por nuk do kenë kurrë identitetin europian”, shkruante ndër të tjerat Neumann.

Pozicionet e tij kanë shtrënguar liderët e partisë AfD të kërkonin menjëherë largimin e tij nga drejtimi i lëvizjes, në një moment ku partitë po përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 26 shtatorit, ku AfD duket e izoluar nga partitë e mëdha, dhe në radhë të parë nga CDU-ja e kancelares Angela Merkel, që kanë bërë të ditur që një aleancë me partinë e djathtë nuk do të ndodhë kurrë, edhe pse në sondazhet e fundit popullariteti i tyre duket në rritje, në veçanti në pjesën lindore të vendit./ A2news