Virologu gjerman: Çdokujt do t’i duhet një dozë e tretë vaksine vitin e ardhshëm
Foto: Euronews Albania

Virologu gjerman: Çdokujt do t’i duhet një dozë e tretë vaksine vitin e ardhshëm

Bota May 16, 2021 - 21:36

Drejtuesi i fushatës së vaksinimit kundër COVID-19 në Gjermani thotë se me shumë mundësi të gjithë qytetarët gjermanë do të duhet të vaksinohen sërish vitin e ardhshëm.

Virologu, Thomas Mertens, drejtues i Komitetit për Vaksinimin në Institutin e Shëndetit Publik në Berlin ka bërë një deklaratë të tillë për gazetën gjermane “Funke”.

Deklarata e tij e publikuar të dielën nuk saktëson ekzaktësisht se kur do të nisë procesi për dozën e tretë apo nëse kjo është më e domosdoshme për ndonjë grup të caktuar njerëzish.

“Parimisht ne duhet të përgatitemi se çdo kush do të duhet të rifreskojë mbrojtjen me vaksinë vitin e ardhshëm”, ka deklarua ai.

Infektimi me COVID-19 në Gjermani ka rënë në nivelin më të ulët me vetëm 96.5 raste të reja për 100 mijë banorë.

Afërsisht 30.4 milionë njerëz ose 36.5% e popullsisë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës COVID-19. Kurse 9 milionë janë vaksinuar me të dyja dozat.

Komenti i Mertens vjen pasi një muaj më parë Albert Bourla, drejtor i Pfizer tha se me shumë gjasa do të nevojitet një dozë e tretë 12 muaj pas dozës së dytë për t’u mbrojtur nga mutacioni i virusit.

Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje me Pfizer-BioNTech për 1.8 miliardë doza për periudhën 2021-23./euronews.al