Çfarë ndodhi në takimin 5-orësh të Bidenit me Putinin?
FOTO: AP

Çfarë ndodhi në takimin 5-orësh të Bidenit me Putinin?

Bota June 16, 2021 - 22:40

Shtëpia e Bardhë shpërndau një deklaratë të përbashkët të Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin lidhur me çështje të stabilitetit strategjik. Ne deklaratë thuhet se:

Ne, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joseph Biden dhe Presidenti i Federatës ruse Vladimir Putin, vërejmë se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë demonstruar se edhe në periudha tensioni, se janë në gjendje të bëjnë përparim në qëllimet e përbashkëta për të siguruar zhvillime të parashikueshme në sferën strategjike, duke zvogëluar rrezikun e konflikteve të armatosura dhe kërcënimin për një luftë bërthamore”.

Deklarata e cilëson zgjatjen së fundmi të Traktatit të ashtuquajtur “Fillimi i ri” si ilustrim të angazhimit të të dy vendeve për kontrollin e armëve bërthamore.

“Sot ne riafirmojmë parimin se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të ndodhë kurrë”, – shkruhet në deklaratën e përbashkët të të dy presidentëve.

“Në përputhje me këto synime, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do të fillojnë së bashku një Dialog mbi Stabilitetin Strategjik në të ardhmen e afërt, i cili do të jetë i matur dhe i fuqishëm. Përmes këtij dialogu ne kërkojmë të hedhim bazat për kontrollin e armëve në të ardhmen dhe të marrim masa për zvogëlimin e rrezikut”, – përfundon deklarata e dy presidentëve.

Më herët gjatë konferencës së vecantë për shtyp, Presidenti amerikan Joe Biden tha se i kishte bërë të ditur Presidentit rus Vladimir Putin se SHBA do të vazhdojë të ngrejë çështje që kanë të bëjnë me të drejtat themelore të njeriut. Komentet Presidenti Biden i bëri gjatë një konference për shtyp, që pasoi komunikimin me mediat të udhëheqësit rus.

Presidenti tha se “të drejtat e njeriut do të jenë gjithmonë në një çështje për diskutim”.

“Nuk ka të bëjë me atë që ne do t’i vihemi pas Rusisë kur ajo shkel të drejtat e njeriut, ka të bëjë me atë se cilët jemi ne”, – tha zoti Biden. “Si mund të jem President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të mos flas kundër shkeljes së të drejtave të njeriut”, – shtoi ai.

Zoti Biden dhe zoti Putin ranë dakord të rifillojnë bisedimet mbi kontrollin e armëve bërthamore si dhe të rikthejnë ambasadorët në kryeqytetet respektive pasi tërheqjes së tyre më herët gjatë këtij viti.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, samiti u dha fund punimeve në orën 5.05 pasdite të mërkurën sipas orës lokale, kur përfundoi takimi i zgjeruar P + 5 (Presidenti dhe pesë këshilltarë) midis dy delegacioneve.

Presidenti rus Vladimir Putin e cilësoi si “konstruktiv” tonin e bisedimeve me Presidentin Joe Biden të mërkurën dhe tha se nuk kishte armiqësi gjatë bisedimeve.

Ai i bëri komentet gjatë një konference shtypi pas përfundimit të takimit të nivelit të lartë me Presidentin Biden në Gjenevë, ndërsa janë thelluar tensionet mes Perëndimit dhe Kremlinit.

Siç ishte rënë dakort, i pari që do jepte konferencë shtypi ishte Presidenti Putin dhe më pas pritet të flasë edhe Presidenti Biden.

“Vlerësimi ynë ndryshon për shumë çështje, por sipas mendimit tim të dy palët demonstruan dëshirën për të kuptuar njëri-tjetrin dhe kërkuan mënyra për t’u afruar. Biseda ishte mjaft konstruktive”, tha Presidenti Putin.

Udhëheqësi rus tha gjatë konferencës së shtypit se ai dhe Presidenti amerikan Joe Biden ishin pajtuar që të rikthejnë ambasadorët në kryeqytetet përkatëse në një përpjekje për të ulur tensionet.

Dakordësimi për kthimin e ambasadorëve vjen pas një lufte të ashpër diplomatike e cila çoi në shkurtime të thella të personelit diplomatik.

Ambasadori i Rusisë në Uashington, Anatoly Antonov, u thirr nga Kremlini për konsultime rreth tre muaj më parë pasi Presidenti Biden e cilësoi Putinin si një “vrasës”.

Ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, u largua nga Moska gati dy muaj më parë pasi Kremlini sugjeroi që ai të kthehej në Uashington për konsultime.

Presidenti rus mbërriti në Gjenevë rreth orës 13:00, sipas orës lokale, pak para se të shkonte në vendin e takimit në “Villa La Grange”.

Presidenti Biden mbërriti më pas, një taktikë diplomatike e koreografuar nga Shtëpia e Bardhë për të shmangur një përsëritje të samitit të Helsinkit të vitit 2018, pasi mbërritja me vonesë e Presidentit Putin bëri që Presidenti Donald Trump të priste pak më shumë se 30 minuta. Të dy udhëheqësit shtrënguan duart para se të futeshin në bisedime.

Pas përshëndetjes fillestare me Presidentin e Konfederatës Zviceriane Guy Parmelin, të dy udhëheqësit zhvilluan sesionin e parë në formatin P+1, (Presidenti dhe një këshilltar).

Presidentin Biden e shoqëroi Sekretari i Shtetit Antony Blinken ndërsa kryediplomati rus Sergey Lavrov ishte në krah të Presidentit Putin. Secila palë kishte përkthyesin e vet.

Përfundimi i samitit përmbyll turneun e parë jashtë vendit të Presidentit Biden që nga marrja e postit. Javën që kaloi, Presidenti Biden mori pjesë në samitin G-7 dhe zhvilloi bisedime me udhëheqësit e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, në përpjekje për të thelluar marrëdhëniet me aleatët dhe konsultuar me ta në lidhje me bisedimet SHBA-Rusi./VOA