Intensifikohen konfliktet prej shpërthimit të pandemisë
FOTO: EPA

Intensifikohen konfliktet prej shpërthimit të pandemisë

Bota June 17, 2021 - 12:02

Shkalla e konflikteve në botë është rritur prej kur ka shpërthyer pandemia, sipas Indeksit Global për Paqe, të publikuar të enjten nga Instituti për Ekonomi dhe Paqe.

Raporti, që vlerëson situatën më 2020, tregon se shkalla e konfliktit është rritur në botë për të nëntën herë në 12 vjet.

Themeluesi i Institutit Steve Killelea, ka thënë se pandemia e ka fajin për këtë situatë.

Ndonëse nivelet e përgjithshme të konfliktit dhe terrorizmit kanë rënë më 2020, jostabiliteti politik dhe protestat e dhunshme kanë shënuar rritje, ka thënë Killelea.

Ai ka thënë se ndikimi i pandemisë mund të krijojë edhe më shumë paqartësi, sidomos për shtetet që veçse janë përballur me tensione para pandemisë.

Rimëkëmbja ekonomike ka mundësi të ketë dallime të mëdha, çka mund të thellojë edhe më shumë përçarjet, ka thënë ai.

Në përgjithësi, Indeksi Global për Paqe ka regjistruar mbi 5,000 incidente të dhunshme të lidhura me pandeminë, në periudhën janar 2020 deri në prill të këtij viti.

25 shtete janë përballur me rritje të numrit të protestave të dhunshme, ndërsa vetëm në tetë shtete situata është përmirësuar.

Situata më e rëndë është shënuar në Bjellorusi, Mianmar dhe Rusi, ku autoritetet kanë shtypur dhunshëm protestat.

Pakënaqësitë janë rritur shpejt edhe në Shtetet Bashkuara të Amerikës, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për rritjen e Lëvizjes Jetët e njerëzve me ngjyrë kanë vlerë, si dhe nga sulmi ndaj ndërtesës së Kongresit në Uashington, në janar të këtij viti.

Në anën tjetër, shkalla e vrasjeve dhe vdekjeve të lidhura me terrorizëm dhe perceptim të krimit, ka rënë dukshëm në shumë vende, ndonëse situata dallon nga zona në zonë.

LEXONI EDHE KËTË:

Vriten 10 punëtorë afganë të deminimit

Në Afganistan, Brazil, Afrikë Jugore dhe Meksikë, më shumë se gjysma e popullsisë ka vazhduar të përmendë dhunën si rrezikun kryesor për sigurinë gjatë përditshmërisë.

Raporti ka gjetur se Afganistani është vendi më pak paqësor në botë, i përcjellë nga Jemeni, Siria, Sudani Jugor dhe Iraku.

Islanda, ndërkaq, ka qenë në krye të listës si vendi më paqësor dhe ka mbajtur këtë pozitë që nga viti 2008.

Në nivel rajoni, Evropa është po ashtu më paqësorja, sipas Indeksit, i cili ka treguar se jostabiliteti politik është rritur edhe aty.

Indeksi Global i Paqes mbulon 99.7 për qind të popullsisë së botës dhe analizon situata, duke përdorur 23 faktorë kualitativë dhe cilësorë, të kategorizuar në tri fusha: konfliktet e vazhdueshne, siguria dhe ushtria. /REL