Policia në Hong Kong arreston pesë personat kryesorë të gazetës “Apple Daily”
Foto: CNN

Policia në Hong Kong arreston pesë personat kryesorë të gazetës “Apple Daily”

Bota June 17, 2021 - 18:06

Redaktori më i vjetër dhe katër bosë tjerë të gazetës pro-demokracisë janë arrestuar në bazë të ligjit të ri të Hong Kongut për sigurinë kombëtare.

Kryeredaktori, botuesi dhe tre shefa të lartë ekzekutivë në tabloidin “Apple Daily” u ndaluan të enjten në mëngjes për shkeljen e legjislacionit të imponuar nga Pekini. Rasti ndodhi ndërsa 500 oficerë bastisën zyrat e gazetës, me kompjuterët dhe telefonat e gazetarëve të sekuestruar dhe fletoret e shoshitura, shkruan CNN.

Një vit më parë, “Apple Daily” publikoi një titull në faqen e parë ku thoshte se parimi qeverisë i Hong Kongut “një vend, dy sisteme ka vdekur”, transmeton Zeri.info.

Themeluesi i gazetës, miliarderi pro-demokracisë Jimmy Lai, u burgos në prill për pjesëmarrje në një protestë të vitit 2019 dhe përballet edhe me akuza tjera të shumta.

Pesë të arrestuarit e fundit po mbahen nën dyshimin e bashkëpunimit me një vend të huaj ose elementë të jashtëm për të rrezikuar sigurinë kombëtare, raportoi AP.

Disa artikuj të “Apple Daily” që u bënë thirrje vendeve të jashtme që të vendosin sanksione ndaj Kinës dhe Hong Kongut thuhet të kenë qenë arsyeja e ndalimit të tyre.

Është rasti i parë ku autoritetet citojnë artikuj mediatikë si shkelës potencialë të ligjit të sigurisë kombëtare.

Sekretari i Sigurisë së qeverisë së Hong Kongut, John Lee, e përshkroi redaksinë e “Apple Daily” si “një skenë krimi” dhe tha se aksioni policor kishte për cak ata që e përdorin raportimin “si mjet për të rrezikuar” sigurinë kombëtare.

Të arrestuarit mësohet se janë kryeredaktori Ryan Law, CEO Cheung Kim-hung, zëvendëskryeredaktori Chan Pui-man, kryeshefi operativ Chow Tat-kuen dhe drejtori i platformës digjitale, Cheung Chi-wai.

“Gazetarët normalë janë ndryshe nga këta njerëz”, tha Lee.

“Mos bashkëpunoni me ta. Bëjeni punën tuaj gazetareske sa më lirë që të dëshironi në pajtim me ligjin, me kusht që të mos bëni komplot apo të keni qëllime për të shkelur... ligjin e sigurisë kombëtare”, shtoi ai.

“Apple Daily” ka kohë që kërkon demokraci në Hong Kong dhe ka kohë që ka kritikuar qeverinë rajonale dhe partinë udhëheqëse të Pekinit, Partinë Komuniste Kineze, për zgjerim të kontrollit të saj ndaj territorit, transmeton Zeri.info.

Kryetitulli “Një vend, dy sisteme, ka vdekur”, i cili u publikua në korrik të vitit 2020 në përvjetorin e dorëzimit të territorit të vitit 1997 nga Britania në Kinë, duke iu referuar premtimit kinez se Hong Kongu do t’i mbajë për 50 vjet liritë civile që i kishte gëzuar nën sundimin britanik të cilat nuk janë zbatuar në pjesën tjetër të Kinës.

Shumë përkrahës të parimit të lirisë së shprehjes, fuqizimin e fundit të ligjit të sigurisë nga ana e Hong Kongut e shohin si masë të gjerë shtypëse ndaj medias së lirë dhe ndaj kujtdo që publikisht nuk pajtohet me veprimet e Pekinit.

Këto masa erdhën pas protestave masive kundër qeverisë që zgjatën për muaj të tërë më 2019, nga ku shumë aktivistë pro-demokracisë dhe ish-protestues u arrestuan. /Zëri