Ballkani përfshihet nga vala e nxehtë, temperaturat deri në 43 gradë

Ballkani përfshihet nga vala e nxehtë, temperaturat deri në 43 gradë

Bota July 29, 2021 - 15:07

Temperaturat do të arrijnë deri në 43 gradë Celsius në Evropën Juglindore, teksa autoritetet lëshojnë një paralajmërim për një valë të nxehtë.

Në Maqedoninë e Veriut, zyrtarët shëndetësorë kanë kërkuar një pauzë në punën ndërtimore dhe kanë bërë thirrje për iniciativa të nivelit komunal për të ndihmuar të moshuarit dhe të pastrehët. Të gjashtë rajonet administrative të vendit do të goditen nga rritja e temperaturave.

Shqipëria, Bullgaria, Greqia, si dhe pjesë të Rumanisë dhe Serbisë, do të përjetojnë gjithashtu nivele të larta të nxehtësisë, shkruan Euronews.

Në rajonin qendror Dimal të Shqipërisë, temperaturat arritën në 42 gradë Celsius të mërkurën.

Në kryeqytetin bullgar, Sofje, punonjësit e bashkisë shpërndanë shishe uji falas në disa vende në qytet. Autoritetet në Athinë kanë filluar të ofrojnë hapësira me ajër të kondicionuar për publikun dhe kanë këshilluar banorët të qëndrojnë brenda në orët e pikut.

Krahas Parisit, Roterdamit, Glasgoë dhe Seviljes, Athina është pjesë e një rrjeti evropian të qyteteve të krijuar për të luftuar efektet e temperaturave të larta.

“Ne kemi folur për ngrohjen globale për dekada, por nuk kemi folur shumë për nxehtësinë,” tha oficerja e re e Athinës, Eleni Myrivili.

“Pres me padurim të rris ndërgjegjësimin tek qytetarët e Athinës për rreziqet e mëdha të nxehtësisë ekstreme dhe të ndihmoj vendimmarrësit të ndërmarrin veprime për të mbrojtur qytetin dhe njerëzit,” shtoi ajo.

Zjarret u ndezën për të dytën ditë në Greqinë jugore, duke detyruar evakuimet në një zonë malore jashtë qytetit portual perëndimor të Patras. Tymi nga zjarri ishte i dukshëm në qendër të qytetit. Zjarret në pyje u raportuan gjithashtu në Bullgari dhe Shqipëri.