Gjermania dhe Franca injorojnë thirrjen e OBSH-së për dozat përforcuese të vaksinave

Gjermania dhe Franca injorojnë thirrjen e OBSH-së për dozat përforcuese të vaksinave

Bota August 05, 2021 - 12:23

Gjermania dhe Franca do të japin doza përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit nga muaji shtator, duke vepruar në kundërshtim me thirrjet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të pezulluar këto programe derisa të vaksinohen më shumë njerëz në botë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë se Franca është duke punuar për të dhënë dozën e tretë të vaksinës për të moshuarit dhe ata që janë më të cenueshëm ndaj sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.

“Doza e tretë duket se do të jetë e domosdoshme, jo për secilin menjëherë, mirëpo për ata që janë më të cenueshëm dhe më të moshuar”, ka thënë Macron përmes një postimi në Instagram.

Gjermania po ashtu synon të japë doza përforcuese për personat më të moshuar dhe ata që jetojnë në shtëpi kujdesi, nga muaji shtator, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë vend.

Shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka bërë thirrje të martën për të mos dhënë dozat përforcuese të paktën deri në shtator, duke thënë se është e papranueshme që shtetet e pasura të kenë më shumë doza vaksinash.

“Shtetet me të ardhura të larta kanë dhënë 100 doza vaksinash për 100 banorë”, ka thënë Tedros.

“Në të njëjtën kohë, shtetet me të ardhura të vogla kanë dhënë 1.5 doza për 100 persona, sepse kanë mungesë të tyre. Ne duhet të ndryshojmë këtë gjë urgjentisht, në mënyrë që shumica e vaksinave të ndahen për vendet me më pak të ardhura, dhe jo për ato më të pasurat”.

Gjermania ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se do të ndajë donacione prej rreth 30 milionë dozave të vaksinave për vendet e varfra.

Qeveria e Macronit, ndërkaq, është duke tentuar të rrisë shkallën e vaksinimit teksa Franca përballet me valë të katërt të pandemisë, si dhe protesta në rrugë kundër politikave qeveritare ndaj krizës me koronavirus.

Deri më tani, 49 për qind e francezëve dhe 53 për qind e gjermanëve janë të vaksinuar plotësisht kundër COVID-19. /rel