Katër viktima dhe 219 raste me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Katër viktima dhe 219 raste me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Bota August 05, 2021 - 16:34

Maqedonia e Veriut ka shënuar rritje të raste të të infektuarve me koronavirus.

Instituti i Shëndetit Publik të enjten ka njoftuar për katër viktima dhe 219 të infektuar në 24 orët e fundit nga testimi i 4,713 mostrave. Sipas raportit, 30 persona janë shëruar nga infektimi.

Viktimat janë dy në Shkup (61 dhe 66 vjeç) dhe nga një në Tetovë (76) dhe Kërçovë (76).

Pas Shkupit numër më të madh të të infektuarve ka në qytetin e Tetovës.

105 pacientë me COVID-19 janë shtruar në Klinikën Universitare në Shkup dhe qytete të tjera, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

“Më 6 korrik, kishin gjithsej gjashtë raste të trajtimit në shtëpi, por tani në qytetin e Tetovës kemi rreth 220 persona të infektua që po shërohen nëpër shtëpitë e tyre. Kemi 30, 40 dhe të mërkurën madje 60 raste pozitive për shkak të mosrespektimit të masave dhe protokolleve. Infektimet janë kryesisht nga dasmat, festimet familjare dhe kontaktet”, ka bërë të ditur shërbimi epidemiologjik në Tetovë duke i bërë thirrje popullatës për vaksinim më masiv si zgjidhje e vetme për përballje me pandeminë.

Deri të mërkurën rreth 520 mijë persona janë vaksinuar në Maqedoninë e Veriut ndërsa rreth 400 mijë prej tyre me nga dy doza.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, ka thënë se institucionet po shqyrtojnë mundësinë e aplikimit edhe të dozës së tretë, por se vendimi final për këtë do të merret pas analizave të detajuara dhe rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare mbi efektin e vaksinave.

Filipçe gjithashtu ka thënë se nga shtatori mund të aplikohen masa kufizuese për çdo person të pa vaksinuar, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit por edhe të nxitjes së popullatës për t'u vaksinuar.

Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 156,926 raste me COVID-19 dhe prej tyre 150,470 janë shëruar ndërsa 5,501 e kanë humbur jetën. Raste aktive janë 955 persona. /REL