Borrelli thotë se BE-ja nuk u konsultua për aleancën SHBA-Australi-Britani

Borrelli thotë se BE-ja nuk u konsultua për aleancën SHBA-Australi-Britani

Bota September 16, 2021 - 19:52

Pakti i ri i sigurisë mes SHBA, Britanisë dhe Australisë tregon se Bashkimi Evropian duhet të zhvillojë strategjitë e veta të mbrojtjes dhe sigurisë.

Kështu ka deklaruar Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, i cili ka theksuar se Unioni nuk u konsultua lidhur me marrëveshjen për të ndihmuar palën australiane që të pajiset me nëndetëse me fuqi bërthamore.

“Është një shans i mirë për t’i kujtuar vetvetes se duhet të reflektojmë mbi nevojën për ta kthyer autonominë strategjike evropiane në prioritet. Kjo tregon se duhet t’ia dalim të vetëm”, u shpreh Josep Borrell.

Borrell iu përgjigj interesit të medias pasi prezantoi strategjinë e re që synon të forcojë praninë e bllokut 27-anëtarësh në rajonin e Indo-Paqësorit.

Shefi i diplomacisë evropiane insistoi se strategjia ishte gjithashtu një ftesë e hapur për Kinën, për të bashkëpunuar në fusha si ndryshimet e klimës dhe biodiversiteti.

“Strategjia jonë i shërben bashkëpunimit dhe jo përballjes”, theksoi më tej Borrell.

Sipas tij, plani synon t’i japë BE-së një profil më të lartë diplomatik për çështjet e Indo-Paqësorit, duke ofruar personel, investime dhe një prani anijesh ushtarake në detin e Kinës së Jugut. /euronewsal