SHBA-ja mbyll pjesë të kufirit të Teksasit, fillon deportimin e haitianëve
Foto: AP

SHBA-ja mbyll pjesë të kufirit të Teksasit, fillon deportimin e haitianëve

Bota September 19, 2021 - 20:53

Shtetet e Bashkuara bllokuan të dielën disa pjesë të kufirit me Meksikën në një qytet të izoluar të Teksasit, ku kanë kaluar mijëra refugjatë nga Haiti dhe kanë ngritur një kamp. Mbyllja e kufirit synon të ndalojë futjen e migrantëve, ndërsa po sot filloi deportimi me avion drejt vendit të tyre i disa prej mijëra migrantëve haitianë.

Dhjetëra automjete të organeve të rendit të Teksasit u rreshtuan pranë urës dhe lumit ku prej gati tre javësh haitianët kalojnë nga zona që quhet “Ciudad Acuna” e Meksikës për në “Del Rio” të Teksasit. Policia ka vënë shenja paralajmëruese për të penguar kalimin e refugjatëve mbi një digë të vogël dhe futur në Shtetet e Bashkuara.

Një punonjës i policisë meksikane, në anën tjetër të kufirit, tha se emigrantët nuk do të lejohen të kalojnë më.

Shumë prej migrantëve kanë jetuar në Amerikën Latine prej vitesh, por tani ata po kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara, pasi mundësitë ekonomike në Brazil dhe gjetkë kanë shterruar. Mijëra njerëz jetojnë nën një urë në Del Rio dhe aty pranë.

Më herët të dielën, Shtetet e Bashkuara nisën tre avionë me migrantë haitianë drejt vendit të tyre të cilët gjendeshin në kampin kufitar në Teksas, ndërsa Uashingtoni përpiqet të pengojë futjet e migrantëve të tjerë në vend.

Një zyrtar amerikan i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” se tre avionë u nisën nga qyteti San Antonio i Teksasit për në Port-au-Prince të Haitit. Zyrtari foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte i autorizuar për të diskutuar çështjen publikisht. /VOA