Së paku gjashtë persona të vrarë në protestat në Bejrut
Foto: Reuters

Së paku gjashtë persona të vrarë në protestat në Bejrut

Bota October 14, 2021 - 21:12

Së paku gjashtë njerëz u vranë dhe 32 të tjerë u plagosën në përleshjet që shpërthyen të enjten në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.

Të shtënat nisën gjatë një proteste të grupeve myslimane shiite Hezbollah dhe Amal, kundër gjyqtarit Tarek Bitar, që po heton shpërthimin e vitit të kaluar në portin e qytetit.

Ata thanë se snajperistët e krishterë qëlluan mbi turmën, për ta futur Libanin në trazira.

Hezbollahu, grup i armatosur rëndë, i mbështetur nga Irani, kërkon largimin e Bitarit, duke e akuzuar atë për anshmëri, por familjet e viktimave e mbështesin punën e tij.

Bitar ka kërkuar marrjen në pyetje të disa politikanëve dhe zyrtarëve të sigurisë, përfshirë aleatë të Hezbollahut, nën dyshimet se kanë neglizhuar sigurinë në port.

Shpërthimi që ka ndodhur në port në gusht të vitit të kaluar, ka lënë 219 njerëz të vdekur.

Shpërthimi ka shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 15 miliardë dollarësh dhe ka lënë rreth 300,000 njerëz të pastrehë.

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, tha se ata që shkaktuan dhunë të enjten në Bejrut, do të mbahen përgjegjës, ndërsa ushtria njoftoi se ka arrestuar nëntë persona, të dyshuar për përfshirje në dhunë./REL