Izraeli ua njeh rreth 4.000 palestinezëve statusin e banorit në Bregun Perëndimor

Izraeli ua njeh rreth 4.000 palestinezëve statusin e banorit në Bregun Perëndimor

Bota October 19, 2021 - 15:05

Izraeli njoftoi të martën se e ka miratuar regjistrimin si banorë të Bregut Perëndimor për rreth 4.000 palestinezë, të cilët për një kohë të konsiderueshme kanë jetuar pa status zyrtar në territorin e pushtuar nga Izraeli, raporton Reuters.

Vendimi prek 2.800 ish-banorë të Rripit të Gazës, të cilët ishin larguar nga enklava pasi militantët e Hamasit e kishin marrë atë në luftimet e brendshme palestineze më 2007, tha zyra ndërlidhëse COGAT e Izraelit për palestinezët.

Rreth 1.200 palestinezë të tjerë, përfshirë banorë të rritur e fëmijë pa dokumente të banimit në Bregun Perëndimor, gjithashtu do ta marrin statusin zyrtar të banimit, transmeton Gazeta Express.

Përfshirja në Regjistrin Palestinez të Popullsisë, që kontrollohet nga Izraeli, do t’ua mundësojë këtyre palestinezëve që të marrin letërnjoftime. Dokumentet do t’ua mundësojnë kalimin nëpër pika ushtarake izraelite të kontrollit në Bregun Perëndimor, zonë që u mor nën kontroll nga Izraeli në luftën e vitit 1967.

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Benny Gantz, tha se ai e miratoi regjistrimin e vendbanimit për 4.000 banorë si gjest humanitar dhe si “pjesë e politikës sime për ta fuqizuar ekonominë dhe për ta përmirësuar jetën e Palestinezëve” në Bregun Perëndimor.

Gantz e dha miratimin për regjistrimin e banimit rreth shtatë javë pas bisedimeve me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, në qytetin e Bregut Perëndimor, Ramallah.