Pandemia në Europë, shifra rekord në vendet me nivel të ulët vaksinimi

Pandemia në Europë, shifra rekord në vendet me nivel të ulët vaksinimi

Bota October 19, 2021 - 15:30

Rumania regjistron nivelin më të lartë të vdekjeve në botë për numër popullsie, për shkak të Covid-19. Autoritetet thonë se numri i lartë i humbjes së jetëve lidhet me nivelin e ulët të vaksinimit, më pak se 11 për qind. Situata në spitale është e rëndë me terapitë intensive që nuk kanë më shtretër të lirë.

“Spitalet janë plot dhe stafi shëndetësor është i tejlodhur”, tha Iuliana Eva, ndihmësmjeke.

Në të gjithë Europën, virusi po përhapet me shpejtësi të ndryshme. Në Letoni dhe Sllovaki autoritetet po vendosin kufizime të reja anti-covid. Letonia, në veçanti, njoftoi planet për 4 javë izolim me mbyllje të shkollave, restoranteve dhe qendrave të argëtimit për shkak të rritjes së infektimeve dhe nivelit të ulët të vaksinimit. Shtetrrethimi gjatë natës do të jetë në fuqi, deri në 15 nëntor.

Pandemia mban fort të mbërthyer edhe Rusinë. Mbi 34 mijë raste të reja u shënuan në 24 orët e fundit, shifra më e lartë që prej shpërthimit të Covid-19. Task Forca për Koronavirusin raportoi gjithashtu 998 vdekje.

“U bëj thirrje të gjithëve të vaksinohen, të mbajnë maskë, doreza dhe distancë sociale. Duhet të bëjmë diçka, pse të mos e mundim edhe ne koronavirusin, siç kanë bërë vende të tjera”, u shpreh Ivan Ivanov.

Në Mbretërinë e Bashkuara, që ndërmori një prej fushatave më të suksesshme të vaksinimit në botë, po bëhet e nevojshme aplikimi i dozës së tretë dhe vaksinimi  fëmijëve. Rastet e reja u rritën në 50 mijë të hënën, veçanërisht mes adoleshentëve nga 12-15 vjeç. Vende si Italia, Spanja, Franca dhe Gjermania, të cilat kanë mbulim të madh me vaksina, edhe te popullsia më e re, pandemia duket të jetë frenuar.