Shpërthim vdekjeprurës ndaj një autobusi ushtarak në Damask

Shpërthim vdekjeprurës ndaj një autobusi ushtarak në Damask

Bota October 20, 2021 - 09:44

Një sulm me bombë në një autobus ushtarak në qendër të Damaskut ka lënë të vdekur të paktën 13 persona, ka thënë media shtetërore e Sirisë.

Makina është shënjestruar me dy pajisje shpërthyese, teksa ka kaluar urën Jisr al-Rais, pak pas agimit, ka thënë agjencia e lajmeve Sana.

Incizimet nga vendi i ngjarjes kanë treguar se autobusi është djegur tërësisht.

Ndonëse Siria ka qenë e përfshirë në luftë civile për një dekadë, sulme të tilla në kryeqytet janë tejet të rralla.

Sulmi me bombë i së mërkurës është raportuar se është më vdekjeprurësi në Damask prej marsit të vitit 2017, kur të paktën 31 persona janë vrarë në një sulm vetëvrasës.

Grupi militant, Shteti Islamik (IS), pati marrë përgjegjësinë për atë sulm.

Për sulmin e së mërkurës ende askush nuk është shpallur përgjegjës, mirëpo ka dyshime se IS qëndron mbrapa, meqë ka kryer disa sulme kundër ushtrisë këtë vit në Siri.

Siria është shkatërruar nga një konflikt që ka shpërthyer pasi Qeveria e presidentit sirian, Bashar al-Assad është përgjjgjur me forcë vdekjeprurëse ndaj protestave pro-demokracsë në mars të vitit 2011.

Sipas Kombeve të Bashkuara, luftimet kanë lënë të vdekur të paktën 350,000 persona, dhe kan nxitur gjysmën e popullsisë që të ikë nga shtëpitë e tyre, duke përfshirë gati gjashtë milionë refugjatë jashtë shtetit.