Gjermania arreston dy ish-ushtarë të dyshuar për komplot terrorist në Jemen
Foto: Getty Images

Gjermania arreston dy ish-ushtarë të dyshuar për komplot terrorist në Jemen

Bota October 20, 2021 - 15:00

Dy ish-ushtarë gjermanë janë arrestuar nën dyshimin se po përpiqen të formojnë një forcë mercenare terroriste për të luftuar në luftën civile në Jemen, thonë prokurorët, raporton BBC.

Arend-Adolf G dhe Achim A përballen me akuza për terrorizëm pas bastisjeve të policisë në Gjermaninë jugore të mërkurën.

Ata dyshohet se kishin planifikuar të rekrutonin deri në 150 meshkuj për një ushtri private të përbërë nga ish-oficerë policie dhe ushtarë.

Ata donin t'i ofronin shërbimet e tyre qeverisë së Arabisë Saudite për misione të paligjshme në Jemen, thanë prokurorët, transmeton Zeri.info.

Jemeni është përfshirë nga një luftë civile midis qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të mbështetur nga Arabia Saudite dhe lëvizjes së armatosur Houthi që nga viti 2014.

Arabia Saudite hyri në luftë civile në 2015 menjëherë pas pushtimit të kryeqytetit, Sanaa, nga lëvizja Houthi, e cila mbështetet nga Irani.

Ish-ushtarët e akuzuar donin që Arabia Saudite të financonte operacionet e tyre private në Jemen, thanë prokurorët në Gjermani. Ata u përpoqën t’i afroheshin agjencive qeveritare të Arabisë Saudite, por nuk morën përgjigje dhe përpjekjet e tyre ishin të pasuksesshme.

Në një deklaratë, prokurorët federalë parashtruan akuza të gjera dhe serioze kundër dy “udhëheqësve”, të cilët kishin “njohuri dhe aftësi ushtarake”.

Prokurorët pretendojnë se Arend-Adolf G dhe Achim A vendosën të krijojnë një forcë mercenare nën komandën e tyre ekskluzive në fillim të vitit 2021. Ata planifikuan t’i paguajnë secilit anëtar të njësisë së tyre një pagë prej rreth 40,000 euro në muaj për shërbimet e tyre, thanë prokurorët.

Arend-Adolf G dyshohet se tashmë ishte përpjekur të rekrutonte të paktën shtatë persona.

Revista gjermane “Spiegel”, e cila raportoi së pari arrestimet, tha se forca mercenare duhej të sulmonte dhe kapte zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi në Jemen.

Arend-Adolf G dhe Achim A “prisnin që të vriteshin dhe plagoseshin civilë në lidhje me luftimet” në Jemen, thanë prokurorët.

Prokurorët gjithashtu dyshojnë se të akuzuarit donin të reklamonin shërbimin e tyre ushtarak për vendosje në konflikte të tjera.

Duke cituar burime, “Spiegel” tha se një informacion nga Shërbimi Ushtarak Kundër-Inteligjencës (MAD) i vuri hetuesit në gjurmët e tyre.

Njëri nga të akuzuarit u arrestua në Munih dhe tjetri në rrethin jugperëndimor Breisgau-Hochschwarzwald të Gjermanisë. Apartamentet e tyre në Bavari dhe Baden-Württemberg u kontrolluan.

Ish-ushtarët pritet të dalin në gjykatë të mërkurën për një seancë në lidhje me paraburgimin. /Zëri