“Vajza afgane” e fotografisë së famshme evakuohet në Itali

“Vajza afgane” e fotografisë së famshme evakuohet në Itali

Bota November 26, 2021 - 19:37

Vajza me sy jeshilë nga fotografia e famshme e ‘National Geographic’ e titulluar “Vajza afgane” ka mbërritur në Itali si pjesë e evakuimeve perëndimore pasi talebanët morën pushtetin, tha qeveria italiane.

Zyra e kryeministrit Mario Draghi tha se Italia ka organizuar evakuimin e Sharbat Gulas, pasi ajo kërkoi ndihmë që të largohej nga shteti.

Qeveria italiane do ta ndihmojë që të integrohet dhe të bëjë jetën në Itali, thuhet në njoftimin zyrtar.

Gula fitoi famë ndërkombëtare në vitin 1984 si një vajzë refugjate afgane, pasi portreti i saj i realizuar nga fotografi i luftës Steve McCurry, u publikua në kopertinën e ‘National Geographic’. McCurry e gjeti atë përsëri në 2002.

Në vitin 2014, ajo ishte në Pakistan, por u fsheh kur autoritetet e akuzuan se kishte blerë një kartë identiteti të rreme pakistaneze dhe urdhëruan deportimin e saj. Ajo u dërgua në Kabul ku presidenti i asaj kohe organizoi një pritje për të në pallatin presidencial dhe ia dorëzoi çelësat e një apartamenti të ri.

Italia ishte një nga disa vende perëndimore që transportoi qindra afganë jashtë vendit pas largimit të forcave amerikane dhe pushtimit të talebanëve në gusht. /euronews.al