Izraeli ndalon udhëtimet për të huajt për 2 javë

Izraeli ndalon udhëtimet për të huajt për 2 javë

Bota November 28, 2021 - 12:10

Izraeli ndalon hyrjen e të huajve në vend në fluturimet ndërkombëtare për dy javët e ardhshme për të luftuar përhapjen e variantit Omicron të Covid-19.

Vendimi është marrë nga komiteti për të luftuar koronavirusin, raportojnë mediat lokale.

Masat e tjera të vendosura janë një izolim prej tri ditësh për qytetarët izraelitë që vijnë nga jashtë. Ata nga vendet në zonën e kuqe, do të duhet të karantinohen në hotele, derisa të kenë një rezultat negativ të testit anti-Covid. Shërbimi i sigurisë së brendshme Shin Bet do të përdoret për të gjetur personat e infektuar.

Kryeministri Naftali Bennett, i cili drejtoi punën e komitetit ndërministror, ëi justifikoi vendimet me situatën e pasigurisë së shkaktuar nga përhapja e variantit të ri të virusit dhe me nevojën për të kujdes duke kufizuar rreziqet në minimum.

Për Bennett prioriteti kryesor tani është të mbajë një ekonomi funksionale dhe një sistem shkollor aktiv, me nxënës që shkojnë në shkollë.

“Për ta arritur këtë duhet të mbajmë kontroll të rreptë mbi kufijtë e vendit”, theksoi ai.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se varianti i ri është shqetësues, me një rrezik më të lartë të ri-infektimit. Por është kundër kufizimeve të udhëtimit, duke paralajmëruar vendet që të shikojnë një qasje të bazuar në rrezik dhe shkencore.

Izraeli ka konfirmuar më shumë se 1.3 milionë infeksione Covid që nga fillimi i pandemisë, me mbi 8,100 vdekje, sipas universitetit amerikan Johns Hopkins. /A2