Pas Kurzit, jep dorëheqje edhe kancelari Schallenberg

Pas Kurzit, jep dorëheqje edhe kancelari Schallenberg

Bota December 02, 2021 - 20:59

Pas 52 ditëve si kancelar i Austrisë, Alexander Schallenberg dha dorëheqje. Kjo e bën atë, kancelarin më kohë të shkurtër në historinë politikë të Austrisë.

Në mëngjes, ish-kancelari Sebastian Kurz (ÖVP) njoftoi tërheqjen e tij të plotë nga të gjitha funksionet politike, ndërkohë vetëm pak orë më vonë jep dorëheqje edhe pasardhësi i tij, kancelari aktual austriak dhe ish-ministri i Jashtëm, Alexander Schallenberg, raporton albinfo.at.

“Nuk është qëllimi im dhe nuk ka qenë kurrë synimi im të marr rolin e liderit të partisë federale të Partisë Popullore (ÖVP)”, tha Schallenberg. Më pas ai shtoi edhe arsyen e vendimit për të liruar karrigen e kancelarit të Austrisë: “Unë jam i mendimit që të dyja funksionet politike, si kreu i qeverisë austriake dhe kryetari i partisë federale të partisë më të madhe në Austri, duhet të ribashkohen shpejt në njërën dorë. Prandaj, unë po e liroj detyrën time si kancelar federal”, ka thënë Schallenberg.

Partia ÖVP ende nuk ka bërë të ditur se kush do ta marrë udhëheqjen e partisë dhe njëherësh të propozohet edhe si kandidat për kancelar të ardhshëm. Deri më tash, emri më i përfolur është ministri aktual i Brendshëm, Karl Nehammer. Ai shihet si personi më adekuat për të marrë përsipër udhëheqjen e partisë, por duket se është edhe kandidati më i pranueshëm i partnerit politik në kolalicionin qeveritar, me Partinë e Gjelbër.

Alexander Schallenberg u betua si kancelar me 11 tetor 2021