Varroset me nderime kryeparlamentari evropian, David Sassoli

Varroset me nderime kryeparlamentari evropian, David Sassoli

Bota January 14, 2022 - 18:48

Me një flamur të Bashkimit Evropian që mbulonte arkivolin, Italia organizoi një funeral shtetëror të premten për David Sassoli, presidentin e parlamentit të BE-së i cili vdiq në fillim të javës.

Zyrtarë të lartë të BE-së, përfshirë Presidenten e Komisionit Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, morën pjesë në shërbimin në kishën e Shën Marisë së Engjëjve, në Romë.

Të pranishëm ishin gjithashtu presidenti i Italisë Sergio Mattarella dhe kryeministri Mario Draghi, si dhe kryeministrat spanjollë dhe francezë Pedro Sanchez dhe Jean Castex.

Sassoli vdiq në një spital italian të martën. Ai kishte vuajtur prej muajsh nga shëndeti i dobët pas pneumonisë së shkaktuar nga bakteret legjionella dhe funksionimit jonormal të sistemit imunitar, shkruan Apnews, transmeton Klankosova.tv.

“Ne jemi shpresa, kur nuk mbyllim sytë përpara atyre në nevojë. Kur nuk ngremë mure në kufijtë tanë,” tha kardinali i Bolonjës Matteo Zuppi, mik i Sassolit, duke cituar një nga fjalimet e 65 vjeçarit.

Djali, Giulio Sassoli, e përshkroi babanë e tij si një person me “ide të forta.”

“Me një buzëqeshje fituese dhe sy të gjallë, por një burrë që skuqej edhe kur komplimentohej”, tha ai.

Përpara se të hynte në politikë, Sassoli punonte si reporter për televizionin shtetëror italian.