Rusia i ndërpret Finlandës furnizimin me gaz

Rusia i ndërpret Finlandës furnizimin me gaz

Bota May 22, 2022 - 23:42

Rusia ka ndërprerë furnizimin me gaz të Finlandës, duke shënuar kështu përshkallëzimin e përplasjes me Perëndimin për pagesën me rubla.

Ndërprerja u konfirmua ditën e shtunë nga gjiganti rus Gazprom.

Nga ana e saj, qeveria finlandeze deklaroi se furnizimet ishin ndërprerë, por pa shkaktuar probleme për konsumatorët e saj.

Helsinki ka refuzuar të paguajë furnizimet me gaz në rubla, por lëvizja e Moskës vjen gjithashtu pas aplikimit të vendit skandinav për t’u anëtarësuar në NATO.

Pavarësisht konfliktit në Ukrainë, i nisur më 24 shkurt, Rusia vazhdon të furnizojë me gaz shumë vende evropiane.

Pasi fuqitë perëndimore e sanksionuan, Kremlini paralajmëroi vendet “armike” se duhet ta paguanin gazin në valutën ruse, një lëvizje kjo që u konsiderua si shantazh nga BE-ja.

Vartësia nga gazi dhe nafta ruse janë një faktor që ka ndikuar në rritjen e kostos së jetesës me të cilën po përballen shumë qytetarë evropianë.

Finlanda importon shumicën e gazit të saj nga Rusia, por furnizimi me lëndën në fjalë përbën më pak se një të dhjetën e nevojës për energji të vendit nordik.

I pyetur mbi çështjen, një zëdhënës i Kremlinit deklaroi se askush nuk do të marrë asgjë falas.