Kancelari austriak: “Mafia” serbe nuk njeh kufij, bashkëpunon me terroristët

Kancelari austriak: “Mafia” serbe nuk njeh kufij, bashkëpunon me terroristët

Bota June 25, 2022 - 16:38

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, në një konferencë të përbashkët me Kryeministri Edi Rama, renditi pikat pse Ballkani Perëndimor duhet të bëhet pjesë e BE-së sa më parë. Ai foli për krimin në këtë rajon, veçanërisht për atë serb, deri te historia, ku përmendi edhe luftën ndaj Perandorisë Osmane.

“Jemi ndër investuesit më të mëdhenj në Ballkanin Perëndimor, por mos harroni, është edhe Kina dhe Turqia. Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm. Është çështje sigurie që vendet e Ballkanit perëndimor t’i kemi më afër. Një prej grupeve më të rrezikshme, është krimi i organizuar në Serbi, i cili nuk njeh asnjë përkatësi etnike kur vjen puna të krimi. Ata bashkëpunojnë me terroristët. E kemi parë edhe me sytë tanë këtu gjatë sulmeve terroriste që armët kishin ardhur nga ish-Jugosllavia. Ne duhet t’i besojmë njëri-tjetrit në mënyrë që të shkatërrojmë këto grupe.

Arsyeja tjetër është kultura, diversiteti që kemi me këto vende.

Argumenti më kryesor është historia. Sa absurde është që një kancelar austriak nuk do të qëndronte pranë Shqipërisë në rrugën e integrimit. Ne e kemi njohur pavarësinë e Shqipërisë, kjo lidhet me vitin 1912, me Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë, Luftën e Ftohtë. Lidhja që vjen nga historia. Gjithmonë kemi qenë aleatë edhe në luftën ndaj portave të Vjenës. Historia e Austrisë karakterizohet nga përjetimi i uljeve dhe ngritjeve, kemi parë ulje dhe ngritje. Për gabimet kemi marrë përgjegjësitë, por ne jemi të përgjegjshëm.

Lidhur me Serbinë, po përpiqem të flasë në nivel të lartë. Ka shumë sfida që duhen trajtuar, sidomos me konfliktet teknike. Edhe këtu Austria mund të ndihmojë”, tha kancelari austriak./A2